Lirimi në qershor 2020, i Behar Bajrit nga paraburgimi nr. 313 duke rrëzuar një seri akuzash të rënda deri në dy vrasje dhe një plagosje, ka mobilizuar prokurorin Xhevahir Lita, biznesmenin strategjik Pëllumb Gjoka, disa gjyqtarë të Shkodrës dhe një dyzinë personash të tjerë.
Një pjesë e bisedave dhe negociatave që çuan në kapërcimin e derës së burgut nga i arrestuari i operacionit “Oaz”, Behar Bajri, janë zhvilluar në aplikacionin “SKY”, të cilat tashmë janë zbardhur në dosjen “Metamorfoza” që SPAK ka çuar për shqyrtim në gjykatë.
Nga bisedat e zhvilluara mes Pëllumb Gjokës dhe prokurorit të Shkodrës Xhevahir Lita, problem për këtë të fundit është pushimi i tre akuzave për vrasje të ngritura kundër Behar Bajrit nga Krimet e Rënda.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në 29 qershor 2002, ku 15-vjeçarja Fabjola Hyseni, bashkëjetuese e Behar Bajrit, është raportuar si e vetëvrarë brenda në banesë me tre plumba, ku mësohet se njërin prej tyre, e ka pothuajse pas shpine me kënd drejtimi nga poshtë-lart.
Në atë periudhë Behar Bajri, i arrestuari kryesor për këtë ngjarje dhe i dyshuari nga prokuroria si personi i dyshuar për këtë vrasje, ka mohuar në mënyrë kategorike se e ka kryer këtë krim kundër gruas së tij.
Krimet e Rënda, pretendonin se me të njëjtën pistoletë tip “TT” që është qëlluar në vitin 2002, 15-vjeçaria Fabjola Hyseni, është qëlluar në 7 shkurt 2001 Arben Tuzi, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën “Qemal Stafa” në Shkodër, ku ka mbetur i plagosur dhe miku i tij, Lulzim Molla.
Arma e krimit është gjetur pikërisht në banesën e Behar Bajrit, shumë pranë trupit të pajetë të vajzës 15-vjeçare, Fabiola Hyseni.
Lita e shikon si problem këtë pjesë për pushim akuzash pasi duhet të vijë akti-ekspertimit balistik i armës nga Tirana. Por nga ana tjetër Pëllumb Gjoka e siguron 1 milion për qind se nuk ka gjë ajo arma dhe nuk lidhen të dyja ngjarje pasi sipas tij, e ka bërë 100 herë Anton Martini dhe nuk ka dalë gjë.
Xhevahir Lita, lidhur me sa i thotë Pellumb Gjoka, i dërgon përgjigjet: “…tani ia ka bërë Edi dhe sot ia ka kthy përgjigjen e pashë dhe unë…po po mire, ajo dosje u dhi…”.
Në 18 qershor 2020 Pëllumb Gjoka i kërkon Xhevahir Litës që në 19 qershor të dorëzojë kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit për Behar Bajrin.
Por Xhevahir Lita e orienton që kërkesën duhet ta bëjë avokati, pasi nuk e dëgjon “ajo”, duke e pasur fjalën për Edlira Cufin me të cilën sipas Litës nuk merret kush.
Pas kësaj kanë lënë takim së bashku, që të takohen të dy tek shtëpia e Xhevahir Litës, i cili e ka orientuar Pëllumb Gjokën që të shkojë nga porta e varrezave të Dëshmorëve.
Pas këtij takimi në datën 20 qershor 2020, ditë të shtune, Xhevahir Lita ka njoftuar Pëllumb Gjokën se e ka dorëzuar kërkesën për zëvendësim mase sigurimi për Behar Bajrin, duke dërguar mesazh si më poshtë: ”…e lashë, i thashë bëj çar të duash…”
Dhe në vijim i dërgon mesazh: “…ai do e rrëzojë kërkesën time…më tha tërhiqe ti kërkesën…i thashë jo jooo bëj çar të duash…me arsyetimin se po e paragjykojmë…”.
Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” tek oficeri i policisë gjyqësore Çlirim Halili është bërë nga Lita në datën 19 qershor 2020, i cili pa pyetur aspak prokuroren tjetër Cufi, ka krasitur akuzat dhe lënë në këmbë vetëm veprën penale të “organizimit pa lejë të basteve sportive” për të pandehurin Behar Bajri.
Gjatë vazhdimit të kësaj dite, në orën 20:35:43, Xhevahir Lita shpreh shqetësim dhe i dërgon Pëllumb Gjokës mesazhet:
“…ajo nga Tirana ka ardhë me të futurë…a ke bërë gjë se nuk po shoh pozitivitet…ai që më the mua se po shkojë takoj, I ka bërë bisht i kishte thënë atij shokut tim ka problem…”.
Në këtë datë flasin Gjoka dhe Lita, për një çështje tjetër gjyqësore dhe Pëllumb Gjoka, mundohet ti japë shpjegim për ecurinë e kësaj çështje, duke i dërguar mesazhet:
“…Lazri ka kërkuar kohë… Ka marr raport Lindita… Në trupë është Aleksi që ka marrë raport… Lindita që mori raport…”, Xhevahir Lita ndërkohë i ka thënë që trupa nuk është formuar ende.
Ndërkohë Xhevahiri vijon të shfaqë shqetësim lidhur me një akt-ekspertimi që pritet nga Tirana dhe se nuk është tek pritshmëritë e tij pasi sipas tij ka qenë i pakuptueshëm, bëhet fjalë për një akt-ekspertimi balistik krahasues.
Në orën 21:03:43 Xhevahir Lita dërgon mesazh: “…akti i ekspertimit që nuk kuptohej e kanë bërë të kuptueshëm…” dhe “… Që gëzhojat janë të qitura nga e njëjta armë?…”
Pëllumbi i thotë: “Nuk është e vërtet… Vetëm nëse e kanë manipuluar… sepse sistemi bën krahasimin automatik të gëzhojave…Si shënjat e gishtave…”.
Xhevahiri i përgjigjet: “…shko nesër e shikoje…ka mbaruar…na e ka dërguar përgjigjen me Whatcap…”.
Pellumb Gjoka i shpjegon se këto prova i ka bërë 100 herë Anton Martini (ish drejtues i Prokurorisë Shkodër 2016-2019).
Ai në orën 21:07:55 dërgon mesazhet: “… Lere ça thonë… Isoj si thon tani, keni përgjime që gjujtsi është Safeti e shoferi Ameri… Nxitsi Behari…… Muhabete pazari o vlla… Po ti kishin ja kishin plas me koh… O vlla i është bërë kërkesë disa herë policisë shkencore, për përgjigjen dhe nuk u dha asnjëherë… Un e di privatisht që nuk kanë lidhje gëzhojat…1 milion për qind…”.
Xhevahir Lita lidhur me sa i thotë Pellumb Gjoka, i dërgon përgjigjet: “…tani ia ka bërë Edi dhe sot ia ka kthy përgjigjen e pashë dhe unë…po po mirë ajo dosje u dhi…”.
Pëllumb Gjoka i dërgon mesazh Litës, ku i konfirmon se përgjigja aktit të ekspertimit balistik të armës është siç ka thënë ai.
Lidhur me këtë moment ku flitet për aktin balistik të pistoletës tip “TT”, është pyetur nga SPAK i arrestuari Xhevahir Lita, ku ndër tjera ka deklaruar:
“… Behar Bajri, hetohej lidhur me tre vrasje të ndodhura disa vite më parë, ku ndër tjera edhe vrasjen e ish-të fejuarë së tij. Nga të treja vrasjet që hetohej Behar Brajoviq, dy kishin ndodhur vite më parë dhe ishin dosje të pezulluara të cilat nuk kishin prova mjaftueshëm, por në rastin e vrasjes së ish të fejuarës, ndodhej një akt- ekspertimi balistik, që ishte i administruar në dosje por i palosur në pjesën e konkluzionit dhe nuk konstatohej se çfarë konkluzioni ishte dhënë, kjo ishte vendimtare në zgjidhjen e çështjes së Behar Brajoviq. Duke qenë se kjo ishte vendimtare, bashkë me prokuroren Cufi, i kemi kërkuar Institutit të Policisë Shkencore që të na sillte kopjen e aktit, i cili pasi është administruar kemi proceduar me njoftimin e akuzës Behar Brajoviq, duke i njoftuar akuzën për “organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit”, pasi për vrasjet nuk provohej përgjegjësia, kjo është e dokumentuar edhe në aktet e procedimit penal. Lidhur me dyshimet për vrasjet, ne vendosëm ndarjen e çështjeve dhe pezullimin e hetimeve….”.
Pëllumb Gjoka dhe Xhevahir Lita kanë lënë të takohen bashkë. Xhevahir Lita është i interesuar të dijë se çfarë ka thënë Lindita Hoxha, gjyqtare në gjykatën e Apelit Shkodër.
Pëllumb Gjoka, i ka kërkuar Xhevahir Litës që Behar Brajoviq (Bajri) mos të hetohet për 2 vrasjet, se përndryshe “ngel” në burg. Pëllumbi i ka kërkuar Xhevahir Litës që të diskutoj “Lazrin”, pasi më 15 Qershor shqyrtohet në Gjykatën e Apelit kërkesa për zëvendësim mase, pas njoftimit të akuzës që i është bërë Behar Brajoviq.
Xhevahir Lita, e ka s’qaruar në orën 20:39:31 duke dërguar mesazh: “…o vlla nesër është për atë që nuk është këtu Daci ka mbaru punë…”.
Në 22 qershor 2020, Pëllumb Gjoka pyet Xhevahir Litë nëse ka ndonjë të re. Në orën 19:03:30 Xhevahir Lita dërgon mesazh: “…atë (gjyqtarin) duhet me e heq se nuk e bën…duhet me kërku perjashtimin…”.
Më pas kanë diskutuar lidhur me përjashtimin e gjyqtarit dhe se si do veprojnë. Xhevahir Lita i tregon se kërkesën ja ka dërguar edhe me e-mail dhe ja ka argumentuar. Pëllumb Gjoka e pyet nëse do takohet nesër me gjyqtarin dhe Xhevahir Lita i kthen përgjigje se atë do e takoj dikush tjetër.
Referuar këqyrjes së fashikullit gjyqësor lidhur me vendimin Nr. 307 (2006) datë 29 qershor 2020, rezulton se është zhvilluar seanca e datës 24 qershor 2020, për zëvendësimin e masës së sigurimit të kërkuar nga Prokuroria Shkodër për Behar Brajoviq (Bajri).
Në këtë seancë nuk kanë qenë të pranishëm Behar Brajoviq (Bajri) dhe avokati mbrojtës Alban Bengasi dhe për këtë arsye, seanca është shtyrë për në 29 qershor 2020.
Më 24 qershor 2020, Pëllumb Gjoka ka pyetur nëse Xhevahir Lita është takuar me gjyqtarin që do shqyrtoi çështjen.
Xhevahir Lita i është përgjigjur: “…po më tha me ka çmënë Pllumi…me ka fut 100 veta…”.
Pëllumb Gjoka, i ka kërkuar që ta takojnë bashkë gjyqtarin dhe Xhevahir Lita i kthen përgjigje në orën 18:09:30 i dërgon mesazhet:
“…ai më tha me ka çmene ti thua ta takojme bashkë…ku të takon ai ty… më ka thënë me ia çu ca dokumente ia kam bërë gati do ja jap nesër…”.
Pëllumb Gjoka në orën 18:11:46 ka pyetur Xhevahir Litën nëse i ka ofruar para gjyqtarit, Xhevahir Lita i është përgjigjur që jo.
Në orën 18:19:12 Pëllumb Gjoka i dërgon mesazhet: “… Daci është tu plasë… Dhe me të sjell ato t’ja japësh…” (ku përemrin “ato” i referohet dhënies së parave në këmbim të lirimit të Behar Brajoviq).
Lidhur me këtë moment të përshkruar më lart, më datë 12 Prill 2024, është pyetur nga ana e SPAK në cilësinë e deklaruesit gjyqtari Sokol Shehu, i cili ka qenë gjyqtar i seancës paraprake në çështjen e Behar Brajoviq e personave të tjerë, ndër tjera ai deklaron se:
“….unë nuk kam patur asnjë komunikim me Xhevahir Litën lidhur me shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për zëvëndësimin e masës së sigurimit të Behar Brajoviq. Me Xhevahir Litën kam komunikuar vetëm kur caktoja seanca gjyqësore dhe i njoftoja datën…..”.
I pyetur nëse njihet me Pëllumb Gjokën ai deklaron se:
“…Këtë shtetas nuk e njoh. Hera parë që e kam dëgjuar ka qenë kur u arrestua nga SPAK dhe doli në media….”.
Sokol Shehu është pyetur edhe nëse është kontaktuar nga persona të tjerë për llogari të Pëllumb Gjokës për tu interesuar për Behar Brajoviq, ai deklaron se:
“…Në asnjë moment nuk më është afruar askush të më pyesë për shqyrtimin e kërkesës apo për t’u interesuar për Behar Brajoviq. As Pëllumb Gjoka dhe asnjë person tjetër….”
Më datë 29 qershor 2020 Pëllumb Gjoka ka dërguar mesazh tek Lita: “…Ma në fund…”
Xhevahir Lita i shprehet: “…ke rënë rehat tani…”
Dhe Pëllumb Gjoka ja ka kthyer: “… Te dali Daci i her…”.
Në vazhdim Xhevahir Lita ka dërguar mesazhet: “…iku ai muhabet…tani thuaj meru vete se ka punë përsëri…”.
Në orën 16:48:45 Pëllumb Gjoka dërgon mesazhet: “… Vlla ka me të pru njëni 500. 000…Jepi sa të dojn… Nuk ja ban ma burgun… Pranoje se të ka ba ftesë Daci i vogël….”.
Për ndryshimin e masës së sigurisë së Behar Bajrit janë dhënë apo ofruar një shumë parash.
Në orën 15:34:10 poseduesi i SKY U2BA3G komunikon me Pëllumb Gjokën dhe e pyet nëse Behar Bajri, ka shkuar në Shkodër, dërgon mesazhet:
“…Ça po bën …Arriti shpi…Apo nuk shkoj Shkodër…E mirë… Kush e priti këtu…Apo polici… Ou menova me shok se po e çojn me polici… Ok se do ketë pas civila menoj… Vërdall… Po pin noi got lop tani…”.
Behar Bajri është liruar nga burgu në 29 qershor 2020 me vendimin Nr.307 të marrë në orën 10:00, duke caktuar detyrim paraqitje dy herë në javë të hënën dhe të enjte.
Një ditë më pas, në 30 qershor prokurori i çështjes Xhevahir Lita merr kontakt me të pandehurin e tij, Behar Brajoviq alias Bajri, i cili ka në përdorim Sky@EÇ TIV9E3, ku në orën 16:51:35 Behar Brajoviq i ka dërguar mesazhe Xhevahir Litës si më poshtë:
“…Daci vogel jam…ta paqa borgj vlla…ta po rrim nej dit gjejm nej vend e rrim…tiranë jam…”.
Xhevahir Lita e pyet se çfarë po bën dhe se ku ndodhet. Po ashtu ai orienton “dacin” se si do veprohet më tej, duke dërguar mesazhet si më poshtë:
“…ok ke me u paraqitë të hënën…në prokurori…të hënën në orën 10…”.
Në orë 17:03:31 prokurori Xhevahir Lita dërgon Pëllumb Gjoka mesazhet: “…po bëni qef me Dacin më duket…eheeeee…a ju a ju… jeni të qetë tani…”.
Në këtë datë Behar Bajri është liruar nga Burgu dhe ndodhej me masën e sigurimit “detyrim paraqitje”.