BIRN: Gjykata angleze lë në fuqi sanksionet kundër Sali Berishës, cilësohet si vendim i drejtë

Ish-kryeministri Sali Berisha humbi mundësinë e fundit për të pastruar figurën e tij në Mbretërinë e Bashkuar pasi një gjykatë vendëse hodhi poshtë pretendimet e shumta të dorëzuara nga avokatët e tij kundër një vendimi të vitit 2022 që e sanksionon atë për përfshirje në korrupsion madhor gjatë kohës kur ai ka qenë kryeministër në Shqipëri.

Berisha, i cili së fundmi mori vulën dhe simbolet e Partisë Demokratike duke u bërë praktikisht udhëheqës i padiskutueshëm i opozitës së djathtë në Shqipëri, pati më pak fat në Mbretërinë e Bashkuar, ku Komisioni i Posaçëm i Apelit për Imigrimin konsideroi vendimin që e shpall atë si të korruptuar të drejtë dhe të mbështetur në informacione të besueshme.

Fergus Randolph KC, një avokat i nivelit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, ishte ankuar në sistemin e drejtësisë së këtij vendi për llogari të Berishës duke ngritur një numër të madh pretendimesh, përfshirë argumentin se qeveria britanike e ka marrë vendimin mbështetur në informacione të pabesueshme, të tilla si burime të hapura dhe artikuj kritikë, apo se vendimi është disproporcional pasi godet një politikan i cili ka tashmë një dekadë në opozitë dhe jo një politikan në pushtet si z. Rama, i cili përshkruhet nga avokati i Berishës si një person që bashkëpunon me krimin e organizuar nga pozicioni i pushtetit. Randolph pretendoi më tutje se Mbretëria e Bashkuar nuk mundet të dënojë një ish-drejtues shteti për shkak se ky i fundit duhet të ketë imunitet sovran.

Gjykata i hodhi poshtë të gjitha pretendimet, përfshirë aludimin e përsëritur shpesh nga Berisha se shpallja e tij i padëshirueshëm apo non grata mbështetet në informacione mediatike të pabesueshme.

Në lidhje me çështjen e besueshmërisë së informacionit që solli shpalljen e Berishës non grata, vendimi, i parë nga BIRN, thotë: “Nëse marterialet do të kufizoheshin te artikujt e burimeve të hapura nga gazetat apo faqet e internetit, ne dyshojmë se këto në vetvete do të kishin furnizuar një bazë të përshtatshme për konkluzione specifike […]. Por materialet që ne kemi parë përfshijnë një vlerësim të kujdesshëm të besueshmërisë së gazetave dhe faqeve të internetit, të bërë nga ata që kanë njohuri dhe eksperiencë specifike mbi kushtet e Shqipërisë.”

Gjykata thekson gjithashtu se “vendimet u mbështetën në një sasi të madhe raportimesh të brendshme në formën e telegrameve diplomatike, të cilat janë komunikime diplomatike nga Ambasada në Tiranë për Ministrinë e Jashtme në Londër. Këto vlerësime nuk u përgatitën për qëllime të procedimit apo për të informuar vendimin për ndalim: përkundrazi, ato u përgatitën në kohë reale dhe u komunikuan në mënyrë që t’i japin qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar informacionin më të saktë të mundshëm për një vend të caktuar”.

Gjykata deklaron se këto informacione të raportuara në kohën e ndryshme “në këndvështrimin tonë, ofrojnë burime të përshtatshme informacioni për qëllim të marrjes së një vendimi ndalimi të hyrjes.”

Berisha, 79, u sanksionua fillimisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 2021. Ai pretendon se sanksionet kundër tij “mbështeten në gënjeshtra”.

Berisha ka qenë në arrest shtëpie që nga dhjetori i kaluar, i dyshuar nga prokurorët shqiptarë se ka ndryshuar një ligj në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Berisha dhe Malltezi hedhin poshtë pretendimet si të pavërteta.

Duke komentuar vendimin e dhënë në Londër, Berisha tha të hënën: Vendim i SIAC shton një kat në monumentin e korrupsionit dhe turpit të vendimit për përjashtimin e Sali Berishës.”/BIRN


Shtuar 17.06.2024 16:10