Bill Clinton në Tiranë, Rama flet me superlativa për ish-Presidentin: Kam admiruar ato që ka thënë

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në ceremoninë pritëse të Bill Clinton. Rama ka folur me superlativa për ish-Presidentin, i cili viziton Shqipërinë për herë të parë. Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu figurën e Clinton në politikë.

Rama: Jo vetëm ia kam parë, dëgjuar, rilexuar ato që ka thënë por edhe studiuar se si i ka thënë. Për të mësuar prej përmbajtjes dhe artit të tij të pashembullt të komunikimit. Mbi të gjitha duke i admiruar atë që as nuk mësohet as tregohet dot, empatinë magjepsëse që e bën Presidentin një ndër oreatorët më të mahnitshëm që ka njohur historia.

Presidenti Clinton ia rrëmbeu zemrën Amerikës dhe frymëzoi Evropën dhe botën me forcën e fjalës së tij.

Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin ta përjetojmë drejpërdrejt në lëkurën e kombit tonë forcën rrëqethëse të fjalës së Presidentit Clinton në mbrëmjen e 24 marsit 1999 kur iu drejtua Amerikës dhe gjithë botës. Ai fjalim është për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë një gur përcaktues i rrugës të së ardhmes.

Askush nuk e di si do të kishte qenë e ardhmja e rajonit tonë, pa Presidentin, por koha që do rridhte pa atë vendim historik mund të kishte qenë shumë e zymtë./Albeu.com/

 


Shtuar 3.07.2023 19:19