BILANCI/ 11 shoferë të arrestuar dhe 1606 gjoba në 24 orë, shqiptarët nuk kanë ndërmend ta heqin këmbën nga gazi (VIDEO)

Fundjava ka sjellë fluks të shtuar të automjeteve në akse të ndryshme nacionale, sidomos në zonat bregdetare.

Policia rrugore ka shtuar kontrollet në të gjitha rrugët. Në 24 orët e fundit, janë arrestuar 11 drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu janë vendosur 1606 gjoba dhe janë pezulluar 60 leje drejtimi për shpejtësi të lartë, parakalime të gabuara apo drejtime mjetesh në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit ka shtuar shërbimet policore në të gjitha rrugët interurbane dhe urbane, duke angazhuar krahas shërbimeve të Policisë Rrugore edhe patrullat e Përgjithshme dhe Forcat “Shqiponjat”.

Njëkohësisht në të gjitha rrugët interurbane Patrullat e Policisë Rrugore po monitorojnë qarkullimin me radarë e dronë dhe patrulla të lëvizshme të pajisura me kamera, aparatë fotografikë e alkooltestues.

Gjatë 24 orëve të fundit nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi .

Janë pezulluar 60 Leje drejtimi, nga të cilat 40 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin deri në 183 km/h në Baypassin e Fierit, 161 në rrugën interurbane Tiranë –Elbasan në Bërzhitë dhe shpejtësi nga 135 deri në 149 në shumë akse të tjera të vendit dhe 20 Leje drejtimi,për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1606 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.


Shtuar 29.08.2021 17:35