Biden thotë se Shërbimi Sekret ka nevojë për “më shumë ndihmë”, pas atentatit ndaj Trumpit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se Shërbimi Sekret ka nevojë për “më shumë”, një ditë pasi agjentët e parandaluan një tjetër përpjekje për ta vrarë ish-presidentin Donald Trump.

Trump shpëtoi pa u dëmtuar pas një “tentimi për ta vrarë atë” në klubin e tij të golfit në Floridë më 15 shtator, tha Byroja Federale e Hetimeve, FBI.

Ky incident, i cili ndodhi vetëm nëntë javë pasi Trumpi i mbijetoi një atentati në Pensilvani, ka ngritur pyetje për sigurinë e kandidatit të republikanëve për president vetëm 50 ditë para zgjedhjeve tejet të polarizuara presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

FBI-ja dhe shteti i Floridës janë duke hetuar se si një i dyshuar 58-vjeçar ishte në gjendje të afrohej disa qindra metra afër Trumpit me një pushkë dhe dylbi.

FBI-ja tha se është duke e kryer një hetim ndaj “asaj që duket të jetë një tentim për ta vrarë ish-presidentin Trump” dhe për votimet e mundshme.

Presidenti Biden tha për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të hënën: “Një gjë dua ta bëj të qartë, Shërbimi [Sekret] ka nevojë për më shumë ndihmë, dhe mendoj se Kongresi duhet t’u përgjigjet nevojave të tyre”, tha Biden.

“Falë Zotit presidenti është mirë. Mendoj se kemi nevojë për më shumë personel”, shtoi ai.

Pas incidentit, Trump i lartësoi Shërbimin Sekret dhe policinë, duke i quajtur “patriotë të guximshëm dhe të përkushtuar” për garantimin e sigurisë së tij.

As FBI-ja, e as policia nuk e kanë bërë të ditur emrin e të dyshuarit, por mediat amerikane si, CNN, Fox News, CBS News dhe New York Times, e kanë identifikuar atë si Ryan Wesley Routh, një 58-vjeçar banor i Havait.

Routh është punëtor ndërtimi me një histori të gjatë telashesh me policinë, sipas të dhënave publike.

Ai u zhvendos në Havai disa vite më parë nga Karolina e Veriut dhe ka shprehur mbështetje për demokratët dhe për Ukrainën në llogaritë e veta në rrjetet sociale, përfshirë duke kërkuar grumbullimin e të hollave për mbrojtjen e Ukrainës.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ndihet i lumtur që Trumpi nuk është dëmtuar dhe që tani është i siguruar.

“Është gjë shumë e mirë që i dyshuari për tentim vrasje është arrestuar shpejt”, tha Zelensky në X.

Në Moskë, Kremlini tha se lidhjet e të dyshuarit me Ukrainën tregojnë se Uashingtoni po “luan me zjarrin” me politikën e saj mbështetëse për Kievin, i cili po lufton për t’i zmbrapsur forcat pushtuese të Rusisë.

Mediat amerikane raportuan se Routh ka postuar shpesh në rrjetet sociale për luftën në Ukrainë dhe ka pasur uebsajte ku ka kërkuar grumbullimin e të hollave dhe rekrutimin e vullnetarëve për të shkuar në Kiev për t’iu bashkuar luftës kundër pushtimit të plotë të Ukrainës, që Moska e nisi në shkurt 2022./REL


Shtuar 16.09.2024 18:45