Biden në takimin me Zelenskin: Mosmiratimi i ndihmës ushtarake është “dhuratë Krishtlindjeje për Putinin”

Presidenti Joe Biden ka ftuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të martën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa administrata amerikane i kërkon Kongresit të miratojë ndihmat shtesë për Ukrainën, e cila po mbrohet nga agresioni i Rusisë.

Në këtë takim, Biden tha se për Vladimir Putinin do të ishte një “dhuratë Krishtlindjesh” nëse kongresi nuk arrin të miratojë ndihmën e re ushtarake për Kievin.

Duke folur në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, Biden i tha Zelenskit se shteti amerikan ishte në anën e Ukrainës.

Pavarësisht përpjekjeve të presidentit, republikanët mbeten rezistent ndaj një pakete ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Presidenti Biden i ka propozuar Kongresit një paketë ndihmash prej 110 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe Izraelin, si dhe për prioritete të tjera të sigurisë kombëtare. Por të mërkurën, senatorët republikanë bllokuan projektligjin duke thënë se Shteteve të Bashkuara u nevojiten ndryshime madhore për sigurinë kufitare.


Shtuar 12.12.2023 23:00