Biden dhe Von der Leyen do të takohen së shpejti në Uashington

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden do të takohet më 10 mars në Uashington me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për të diskutuar energjinë, zinxhirët e furnizimit, Kinën dhe heqjen e karburanteve fosile ruse nga BE, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Sipas deklaratës, të dy udhëheqësit do të diskutojnë mbështetjen perëndimore për Ukrainën, veprimet ndaj ndryshimeve klimatike dhe mënyrën se si ata mund t’i përgjigjen sfidave të paraqitura nga Kina.

Ndër të tjera do të diskutohet për koordinimin e SHBA-së me BE-në për të adresuar krizën klimatike përmes investimeve në teknologji të pastra që do të bazohen në zinxhirë të sigurt furnizimi.

Akti i ri i Reduktimit të Inflacionit i administratës Biden, i cili përfshin subvencione të mëdha për produktet e prodhuara në SHBA dhe që synon, sipas Uashingtonit, në trajtimin e krizës klimatike dhe promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, ka shkaktuar bujë në Evropë. /albeu.com


Shtuar 3.03.2023 07:40