Beteja për mbrojtjen e Vjosës, aktivistët shqiptarë nderohen me çmimin ‘Goldman’

Beteja 10-vjeçare e dy aktivistëve shqiptarë për mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi masiv i hidrocentraleve, deri në shpalljen e tij nga qeveria shqiptare si Park Kombëtar, është vlerësuar me çmimin ‘Goldman’ për vitin 2025 – i njohur gjithashtu si Nobeli i mjedisit.

Shpallja e Vjosës park kombëtar siguroi mbrojtjen e 270 kilometrave të lumit, i cili rrjedh i lirë përmes Shqipërisë, si dhe të degëve të tij, duke përfshirë gjithsej 400 kilometra të korridoreve të egra lumore.

“Parku Kombëtar i Vjosës është një model i ri, që Shqipëria ia jep Evropës, por edhe botës, se si duhet të mbrohet natyra dhe sidomos ekosistemet e ujërave të ëmbla, që janë kritikisht në zhdukje,” tha Olsi Nika, duke reflektuar mbi rëndësinë e mbrojtjes që ka marrë lugina e Vjosës.

“Pas shpalljes Park Kombëtar, mendoj se objektivi i radhës është vendosja në jetë dhe përmirësimi i planit të menaxhimit të Vjosës,” shtoi ai.

Edhe Besjana Guri tha se puna e saj për mbrojtjen e Vjosës vetëm sa ka filluar.

“Puna ime me Vjosën nuk mbaron këtu, nuk mbaroi as dy vite më parë kur u shpall Park Kombëtar, aq më tepër pas marrjes së këtij çmimi që është një shtysë shumë e madhe për të vijuar punën me Vjosën dhe aktivizmin në Shqipëri,” tha ajo.

“Fokusi kryesor do të jetë tek Shushica, degë kryesore e Vjosës, uji i së cilës planifikohet të devijohet,” – shtoi Guri.

Çmimi Goldman për mjedisin, i njohur ndryshe si “Nobeli i gjelbër”, jepet çdo vit për aktivistë lokalë nga gjashtë kontinente, që ndërmarrin nisma të jashtëzakonshme për të ndihmuar komunitetet e tyre.

“Ka qenë një vit i vështirë, si për njerëzit, ashtu edhe për planetin,” tha Jennifer Goldman Wallis, nënkryetare e Fondacionit Goldman për Mjedisin. “Ka kaq shumë gjëra që na shqetësojnë, na stresojnë, na zemërojnë dhe na ndajnë. Por për mua, këta udhëheqës dhe mësues mjedisorë dhe komuniteti global që i mbështet — janë zgjidhja.”

Fituesit e tjerë të “Goldman Prize 2025” janë: Semia Gharbi nga Tunizia, Batmunkh Luvsandash – Mongoli, Carlos Mallo Molina – Ishujt Kanarie, Laurene Allen – Shtetet e Bashkuara, Mari Luz Canaquiri Murayari nga Peruja.

Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1989 nga filantropët e ndjerë të San Franciskos, Richard dhe Rhoda Goldman. Fituesit e çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë.

Gjatë 36 viteve, çmimi “Goldman” ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues – mes tyre 106 gra – nga 98 vende të ndryshme./ BIRN


Shtuar 21.04.2025 21:57