Besmir Beja është emëruar drejtor i ri i Doganave pas dorëheqjes së Gent Gazhelit. Beja ka qenë më herët sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, ku është emëruar që nga muaji gusht i vitit 2024.
Ndërsa Gent Gazheli do të jetë zëvendës-ministër i Mjedisit.
Lëvizja vjen në një moment ku raportohet se Gazheli mund të jetë nën hetim nga SPAK. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga ky institucion.
Gazheli u emërua në krye të administratës doganore në vitin 2020, duke drejtuar një nga institucionet kyçe të mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe të kontrollit të kufijve për mallrat.
Gjatë mandatit të tij, Doganat kanë qenë shpesh në qendër të debatit publik për shkak të çështjeve që lidhen me kontrabandën, akcizat dhe performancën e të ardhurave.
