Besimtarët ortodoksë kremtojnë festën e Shën Marisë, Kryepiskopi Joan thirrje lutjeje për situatën e rënduar të zjarreve që po kalon vendi ynë: Le t’i lutemi Zotit

Sot, më 15 gusht 2025 besimtarët orthodhoksë kremtuan me madhështi Fjetjen e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, të paraprirë nga dy javë kreshmimi.

Fortlumturia e Tij, Krepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, drejtoi liturgjinë Hyjnore në Manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Boboshticë, Korçë.

Në Liturgjinë Hyjnore që drejtoi Fortlumturia i Tij, por edhe në kishat e mbarë vendit, me vendim të Sinodit të shenjtë të Kishës sonë u shtua një thirrje lutjeje për situatën e rënduar të zjarreve që po kalon vendi ynë:

“Për pushimin e shpejtë dhe pa pasoja të zjarreve, për shpirtrat e atyre që humbën jetën, për ndihmën e vëllezërve e motrave që gjenden në rrezik e në vuajtje për shkak të tyre, si edhe për ata që me vetëmohim luftojnë për shuarjen e tyre, me përgjërim dhe solidaritet, le t’i lutemi Zotit”.

Kjo lutje u bë sot në të gjitha manastiret dhe kishat e shumta që mbajnë emrin e Fjetjes së Hyjlindëses Mari në të gjitha dioqezat e Shqipërisë.

Kjo festë është një nga të kremtet më të ndjera e të festuara historikisht, gjë që e dëshmon edhe numri i madh i kishave e manastireve në vendin tonë dhe në gjithë botën orthodhokse, kushtuar kësaj ngjarjeje.

Në këtë festë ato bëhen vende pelegrinazhi me praninë e qindra dhe mijërave besimtarësh dhe veprimtarish të shumta.


Shtuar 15.08.2025 16:53