Ditën e sotme, ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmendi përmbylljen me sukses të punës për Kodin e ri Penal dhe Civil, si një ndër sfidat e punës së tij në krye të dikasterit.
Lamallari falendëroi Kryeministrin Rama për detyrën që i besoi në drejtimin e ministrisë së Drejtësië, ndërsa e siguroi që do e mbajë me nder si angazhim, deri ditën e fundit në krye të këtij institucioni.
“Ju siguroj që do të ndjek të njëjtën praktikë me stafin, nga specialisti më i thjeshtë te drejtuesi më i lartë i shërbimit civil, për të inkurajuar të gjithë ata që ndajnë të njëjtën cilësi dhe angazhim, përgjegjshmëri në kryerjen e detyrave dhe zbatimin e prioriteteve në programin qeverisës”, tha ai.
Ministri i Drejtësisë, gjatë fjalës së tij, iu drejtua edhe stafit, duke i vlerësuar ata edhe në punën e bërë gjatë koordinimit të detyrave dhe angazhimit para Komisionit Evropian për kapitujt 23-24.
“Do doja që të shihja të njëjtin angazhim, profesionalizëm dhe shpejtësi për ndjekjen e këtyre prioriteteve të Qeverirsë shqiptare dhe angazhimeve të marra para BE-së në tërësi. Miratimi i paketës ligjore që lidhet me standardet e Reformës në Drejtësi, sipas zotimeve që Qeveria shqiptare ka marrë para BE-së, përmbylljen me sukses të punës për Kodin Penal dhe Kodin Civil të procedurave. Kjo do t’i shërbejë standardeve më të mira jo vetëm të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, por edhe një sistemi drejtësie më transparent dhe llogaridhënës”, theksoi Lamallari.
“Një element tjetër ka qenë pjesa e digjitalizmit apo funksionimit të sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve gjyqësore në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat. Duhet të kemi një sistem transparent dhe në përmbushje të angazhimit që kemi marrë para BE-së, përshirë edhe udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës”, cilësoi Lamallari.
Ministri Lamallari, tha se do të vijojë puna për përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore, përfshirë godinat e prokurorive në të gjithë vendin, ndërsa u ndal edhe te rëndësia e zbatimit të masterplanit të burgjeve, duke synuar përmirësimin e kushteve të të paraburgosurve dhe të dënuarve.
“Por, hapja e institucionit për rehabilitimin e të miturve, bëhemi vendi avantgard në rajon dhe në raport me standardet e BE-së”, pohoi ai.
Lamallari tha se duhet konsideruar prioritet edhe projekti dhe vizioni i Qeverisë shqiptare për krahasimin e kuadrit ligjor vendas, duke kontribuuar në hartimin e tij përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.
“Unë besoj fort në bashkëpunimin, angazhimin dhe profesionalizmin tuaj, si brenda institucionit dhe në raport me BE-në. Dua që suksesi të jetë i përbashkët”, përfundoi ministri Lamallari.