Berisha: Zgjedhjet e vitit 1991, ishin si dy pika uji me zgjedhjet e 14 majit të 2023-it

Kryedemokrati, Sali Berisha ka paralajmëruar se Partia Demokratike do të fitojë përsëri zgjedhjet.

Në protestën e radhës që po zhvillohet poshtë shtëpisë së Berishes në mbështetje të ish kryeministrit kundër vendimit ‘arrest shtëpie’ Berisha theksoi se PD fitoi në vitin ‘92 se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse qëndron edhe sot e pamposhtur.

Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, të nderuar qëndrestarë, misionarë të shpresës, shpëtimtarë të Shqipërisë!

Ditë të bardha po vijnë për demokracinë shqiptare, ditë të bardha po vijnë për Shqipërinë, ju misionarët e shpresës po i sillni ato, nderim paçi gjithmonë!

Po pse e them unë këtë? E them këtë sepse së pari, historia ka provuar se misionarët nuk mposhten kurrë.

Së dyti, e them këtë sepse historia e PD-së, partisë së idealeve tuaja, aspiratave tuaja, është historia e forcës politike të misioneve të pamundura.

Për këtë, më lejoni t’ju kujtoj vetëm dy raste kur PD ka sjellë dritën nga errësira për Shqipërinë, ka sjellë ditët e bardha për shqiptarët.

Herën e parë ishte viti 1992. Në atë kohë ishim një parti pak më shumë se 1-vjeçare. Nuk kishim asgjë. Pas 45 vitesh sundim të Partisë së Punës, pushteti dukej i pamundur.

Madje zgjedhjet e para, ato të vitit 1991, Ramiz Alia i grabiti dhe e paraqiti veten si fitimtar vetëm e vetëm që të ruante pushtetin komunist. Ato zgjedhje ishin si dy pika uji me zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023.

Në fillim të marsit të vitit 1992, Gallupi na nxirrte 27 pikë pas PS. Internacionalje Socialiste evropiane dhe botërore u ngrit e gjitha në këmbë për të mposhtur PD-në dhe mbajtur Ramiz Alinë në pushtet.

Por çfarë ndodhi? Më 22 mars të vitit 1992, PD realizoi të pamundurën, realizoi ëndrrën.

Ne fituam në vitin 1992 dhe kështu sollëm për herë të parë arritjen e parë monumentale që ndau epokat në Shqipëri. Ne sollëm demokracinë dhe sistemin demokratik.

Unë e di se ka skeptikë vendas dhe të huaj, që do u thonë mos e merrni shembullin e viteve 1991-1992, injorojeni, Berisha është nostalgjik, sot jemi 33 vite larg.

Po, kjo është e vërtetë. Po PD fitoi atëherë se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse qëndron edhe sot e pamposhtur.


Shtuar 7.02.2024 19:22