Berisha: Yuri Kim përdor dogmën e barit si Enver Hoxha, kërkon pa asnjë fakt mosfutjen time në Parlament

Ish-kryeministri Sali Berisha ndërsa sqaroi se padia e tij ishte për shpifje dhe jo politike u ndal edhe një herë te mesazhi që Yuri Kim dha disa ditë më parë për PD-së, ku tha që “një parti nuk mund të vijojë të hajë barë” për hatër të një deputeti të saj, duke iu referuar Berishës.

Sot Berisha iu përgjigj sërish duke thënë se, Yuri Kim, pa asnjë fakt kërkon mosfutjen e tij në parlament, duke përdorur dogmën e barit si ish-diktatori Enver Hoxha.

“Blinken të depozitojë çdo provë dhe fakt që ka kundër meje dhe familjes time. Sot pas 77 vitesh jetë kjo është hera e parë që i drejtohem një gjykate. Kurrë se kisha imagjinuar se do të ngrija padi kundër sekretarit të DASH, të një vendi që e admiroj kaq shumë. Dua të mbroj dinjitetin tim dhe të familjes time. Padia është për dinjitetin, vlerë e shenjtë për mua. Me këtë padi, kërkoj të bëj transparencë ndaj shqiptarëve që më kanë votuar në 30 vjet dhe miqve të mi të shumtë dhe të provoj se ky vendim është politik. Është sine materia! Deri më sot nuk është publikuar asnjë dokument kundër meje, për shkakun e vetëm se nuk ka. Kanë qenë raportet e mediave të kontrolluara nga qeveria, dmth raportet e Edi Ramës që nuk janë publikuar kurrë në Shqipëri. Kjo dëshmon se vendimi kundër meje bazohet në shpifje. Soros dhe Edi Rama po hakmerren për denoncimin tim për dhunimin e zgjedhjeve, lidhjet me krimin, etj. Në veçanti ku vendim është hakmarrje politike për kundërshtimin tim të ndryshimit të kufijve të Kosovës. Por pavarësisht nga këto nuk kam ngritur padi ndaj vendimit politik, është e drejtë e Blinken për të vendosur kush hyn dhe jo në vendin tij. Kam ngritur padi kundër shpifjeve. Karakterin e këtij vendimi politik e provon kërkesa publike e Yuri Kim për mosfutjen time në Parlament, duke mos pasur asnjë fakt, provë apo dokument përveç kërcënimeve me dogmën e barit që ka përdorur Enver Hoxha dhe e përdorin sot albanofobë të pandreqshëm”, tha Berisha./albeu.com

 


Shtuar 5.08.2021 12:25