Berisha uron Fitër Bajramin, premton dyfishim fondesh dhe rikthim pronash

Në një deklaratë për mediat pasi doli nga takimi me kreun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi se pas 11 majit një nga vendet e para që do të marrë do të jetë dyfishimi i fondeve për komunitetet fetare.

Berisha po ashtu, premtoi se do t’u rikthehen pronat që i janë plaçkitur.

“Pas 11 majit nga vendimet e para do të jetë dyfishimi i fondit për komunitete fetare. Fond i cili është i domosdoshëm dhe u takon plotësisht. Si kundër një përpjekja madhore do të bëhet për rikthimin e pronave dhe ose kompensimin. Pronat e komuniteteve fetare janë pronat më të plaçkitura në Shqipëri”, tha kreu i PD.

Ish-kryeministri garantoi të gjithë besimtarët që sapo të vijë në pushtet, do të fusë në ligj faljen e ditës së premte, që orari zyrtar i punës të mos pengojë asnjë punonjës administrate të kryejë këtë rit.

“Unë garantoj, garantova dhe kreun e KMSH se falja ditën e premte do të përcaktohet në ligj dhe në orar dhe çdo besimtar mysliman që dëshiron të kryejë detyrën e tij me faljen në xhami do ketë kohën e vënë për këtë destinacion. Pra nuk do mund të bëhet orari zyrtar pengese që njerëzit të falin të premten që është dita për myslimanët dhe kjo është detyrim. Do të vendoset menjëherë pas 11 majit”, u shpreh Berisha.


Shtuar 30.03.2025 12:13