Berisha u bën thirrje qytetarëve: Dilni dhe votoni, emigrantët që s’u regjistruan janë dyndur sot në Shqipëri

Sot më 11 Maj, Shqipëria voton për Parlamentin e ri, ku mbi 3.7 milionë qytetarë me të drejtë vote.

Në një deklaratë për mediat, kreu i PD Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.

Berisha: Falenderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare.

Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.

Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje e pakufishme për ata mijëra e mijëra shqiptare dhe shqiptarë që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracirave dhe frikës së qeverisë ndaj votës së tyre, por kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot dhe po votojnë në Shqipëri.

Mirënjohja ime është e pakufishme ndaj tyre.

Ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment, në të cilin kanë nevojë shumë të madhe.

Së fundmi, edhe njëherë thirrja ime është për çdo shqiptar: voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën.

Pra, është një votim më shumë se kurrë për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari.


Shtuar 11.05.2025 13:40