Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se teza e PD është kjo, vota vdiq pa hyrë në kuti!
Ai tha se rinumërimi nuk është kërkesë e partisë, por e kandidatëve
Po ashtu ai ka reaguar në lidhje me artikullin e medias botërore Fox News, ku kryeministri Edi Rama cilësohej si ‘RamaDuro’.
FJALA E BERISHES
Armiku më i egër i individit, i njeriut, është ai që i dhunon votën dhe fjalën e lirë.
Ndaj dhe përpjekja jonë për të ndriçuar në çdo aspekt veprimtarinë kriminale, armiqësore, poshtëruese të narkoregjimit të Edi Ramës dhe personalisht të atij, nuk do ketë të reshtur.
Nuk ka armik më të egër për njeriun se sa ai që nuk të lejon të votosh, të kontrollon vullnetin dhe të kontrollon fjalën e lirë.
Në këtë kuadër, vazhdon dhe do vazhdojë përpjekja dhe beteja jonë gjer ditën e rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve.
Gjithnjë e më shumë po ndriçohen të vërtetat e farsës elektorale të 11 Majit.
Përsëri mediat e kontrolluara nga qeveria përpiqen me të gjitha mënyrat që të sfumojnë, që të errësojnë këtë zhvillim dramatik në historinë e Shqipërisë.
Nuk lanë tezë pa nxjerrë, secila më bajate se tjetra.
Shkojnë gjer në absurditete të atilla sa zgjedhjet i vodhi qeveria, po tani lufta në Lindjen e Mesme do të shpërqendrojë vëmendjen dhe interesin për këto zgjedhje.
Shkohet gjer aty sa në një kohë kur mediat më të mëdha të botës, pikërisht në kulmin e atij konflikti, damkosin Edi Ramën si Ramaduro, televizione private kombëtare të kontrolluara nga Edi Rama publikojnë editoriale në të cilat përpiqen dhe këtë ta mbrojnë.
Nuk ndodh kurrë që një media botërore siç është Fox apo të tjera, të pranojnë tituj të cilët nuk qëndrojnë.
Ndaj dhe më duhet t’i them zonjës Vjollca Hoxha që merret me këto editoriale, para se të sulmosh Fox-in dhe autorët, kontrollo më mirë rregullat që ato përshtatin në publikimet e tyre.
Është e vërtetë që çdo shkrim ka një autor, por titulli nuk i imponohet kurrë një media botërore në qoftë se ai nuk qëndron.
Dhe unë më këtë rast, e konsideroj një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm pas denoncimit të karteleve të drogës nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA, vjen radha tani, një media e pavarur, Fox News, e kllapos Edi Ramën si Ramaduro i Europës.
Por e vërteta është se Edi Rama me Nikola Maduron janë në garë dhe në disa aspekte, Rama i ka edhe më të zeza.
Ndaj dhe vazhdon beteja jonë.
Sikundër edhe njëherë duhet të sqaroj sepse dëgjoj jo po numërimi, jo po stërnumërimi.
Dhe njëherë, e kam theksuar dhe e theksoj, rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së.
Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë.
Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni.
Teza e PD është: vota vdiq pa hyrë në kuti.
Rinumërimi ka të bëjë me përshtypjen që kandidatët kanë se votat e njërit kandidat mund të jenë spostuar tek votat e një kandidati tjetër po të PD.
Kërkesa e cila nga PD ka përgëzime në çdo rast për shkak të transparencës.
Unë e them këtu, nuk ka gjë më të drejtë se sa të kërkosh të rinumërohen votat në qoftë se ke dyshime se nuk të janë numëruar apo të janë devijuar votat.
Dhe këta kanë bërë një detyrë qytetare.
Kurse për të tjerët, të paguar çdo ditë nga qeveria, përpiqen të mbrojnë farsën, unë u them se janë pjesë e një propagande kriminale antivotë, një propagande që synon të përligjë shkelmimin e të drejtës më themelore të njeriut pas fjalës, që është vota e lirë.
Me asgjë, nuk mund të fshehin më farsën e turpshme, me asnjë Duman, me asnjë Troplin dhe me asgjë tjetër nuk mund të fshehin farsën e turpshme të 11 Majit.
Ju e patë se si u shokua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, kur mësoi për ndërhyrjet brutale të kriminelëve Xhabaftë, të ndërsyer nga ministri Gonxhja kundër një zone që po bënte detyrën, kundër një deputeteje.
Iku koha kur Edi Rama me metoda nga më të ndryshmet shiste në Europë një realitet që në Shqipëri nuk ekzistonte. Kjo nuk ndodh më.
Dhe ata që kritikojnë opozitën se po turpëron Shqipërinë, ata janë turpi i turpit të njeriut, turpi i turpit të Shqipërisë.
Ata që pretendojnë se qenka e turpshme të denoncosh dhunimin e votës, të denoncosh kartelet e drogës, ata janë turpi i turpit të njeriut dhe turpi i turpit të Shqipërisë dhe kjo opozitë nuk do jetë kurrë e tillë.
Do bëjë detyrën e saj.