Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se nuk duhet që të presin që drejtësia amerikane të veprojë kundër kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar çështjes McGonigal.
Berisha tha se protestat janë e vetmja rrugë për largimin e Ramës nga pushteti.
Sipas tij, “ata që duhet t’i përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët shqiptarë”, duke shtuar se kryeministri mund të përdorë çdo formë për të mbajtur pushtetin.
“Është diskutuar dhe menduam që të jetë kryesia sepse domosdoshmëria e protestave, pra koha për protestë ka kaluar në fakt, duhet të përcaktojmë datën e protestës së ardhshme, duke theksuar edhe njëherë, rruga e vetme… se duhet të jemi shumë të ndershëm dhe të kthjellët…. rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është kalimi në protestë të vazhdueshme. Në vlerësimin tim, variantet e tjera janë iluzive. Nëse besojmë se Edi Ramën do ta marrin me vete dosjet dhe krimet e tij, ne gabohemi, dhe nuk duhet të gabohemi.
Edi Rama do keqpërdorë të gjithë pushtetin për t’u mbrojtur. Në qoftë se ne ai presim që ai të bëhet përgjegjës nga drejtësia, të themi e SHBA, që ka motiv të plotë, qoftë me dosjen e Bilalit, qoftë me dosjen e McGonigalit, përsëri ne nuk jemi realistë, pasi ky proces dhe ky problem është i komplikuar, nuk është një problem i thjeshtë. Por ata që duhet t’i përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët shqiptarë. Unë mendoj se zhvillimet janë pozitivë në krahun e opozitës. Janë shtatë rezoluta që damkosin Edi Ramën njëlloj sa Maduron.
Juve u kujtohet, në San Paolo, pika e parë e rendit të ditës ishte Venezuela, pika e dytë ishte Shqipëria, për ngjashmëritë që ka Maduro me Ramaduron. Kam bindjen se partnerët tanë, kudo, nga këto zhvillime, do të arrijnë në konkluzione të drejta për rrezikshmërinë e madhe që paraqet Edi Rama në pushtet”, tha Berisha.
