Berisha shpall Florian Binajn kandidat të PD për Bashkinë e Tiranës: Luftëtar i kauzave qytetare

Këtë të hënë, ish-kryeministri i vendit, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu, u shpreh se Florian Binaj, do të jetë kandidati që mbështetet nga Partia Demokratike, për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.

Berisha u shpreh se; Binaj është një artist që mbron kauzat e qytetarëve.

“Ftoj aleatët dhe opozitarët, qytetarët, të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bë nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit”, thekson Berisha.

Berisha: Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj.

Shpresoj që aleatët, opozitarët, të bashkohemi në këtë mbështetje ndaj një personaliteti me reputacion të gjerë, tek i cili gjejnë veten më shumë se kushdo tjetër të përfaqësuar, qytetarët e Tiranës.

Ai ishte për vite e vite me radhë, yll apo superyll i shfaqjes më të shikuar të vendit dhe në çdo rol, interpretimi i tij ishte më i pëlqyeri, ishte i përsosur.

Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauzat e tij.

Dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të betejave që ai ka bërë së bashku me të tjerë në mbrojtje të këtyre kauzave.

Ai, së bashku me bashkëpunëtorë, me ekip, kanë ndërtuar dhe paraqesin një nga emisionet investigative më të shikuara, Piranjat, të cilat Edi Rama, i tmerruar, i përzuri nga televizioni ABC dhe u zhvendosën tek televizioni SYRI.

Pra, mund të themi se në këtë kontekst, Florian Binaj, së bashku me ekipin drejtues të Piranjave dhe stafin, janë në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit.

Kundër kësaj dukurie shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ndaj dhe njëherë ftoj aleatët dhe të gjithë opozitarët, ftoj qytetarët të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit. Është një “luftëtar” i kauzave qytetare”, U shpreh Berisha.