Berisha: Reforma territoriale, PS synon shpopullimin! Kushtetuesja rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita nuk do të vijë në pushtet me dhunë po vetëm me votën e shqiptarëve. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita do të vijojë rrugën e kryengritjes paqësore.

“Ne i qëndrojmë parimit të kryengritjes paqësore. Sepse i dashur ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve. Kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më është më fitimtare”, tha Berisha.

Duke ju përgjigjur qytetarëve, Berisha u pyet edhe për Reformën Territoriale. Sipas tij propozimet e qeverisë synojnë shpopullimin e vendit.

“Ju duhet ta dini se ai tani parashikon nga 62 bashki të kalojë në 36 bashki. Kjo është praktika e nxitjes së largimit masiv nga periferitë të shqiptarëve”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, Berisha bëri të ditur se ekipi i Partisë Demokratike do të zhvillojë takime në të gjitha qarqet e vendit për të mbledhur mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve, përpara se të hartohet projekti përfundimtar i reformës territoriale.

“Meqenëse ky është një problem shumë themelor me vendin, ne do bashkëpunojmë ngushtë me ekspertët më të mirë shqiptarë. Ekipi ynë do të bëjë takime në të gjitha qarqet për të marrë mendimet e qytetarëve. Do të hartojë projektin tonë.”

“Nuk mund të them se sa do jetë, por u rikujtoj se Sllovakia me një popullsi pak më të madhe se ne, ka 210 komuna dhe bashki. Sllovakia, dy herë më e zhvilluar, ka 210 komuna dhe bashki. Pra, ne do bëjmë një projekt në përputhje me interesat e plota të qytetarëve dhe të zhvillimit të komuniteteve. Këtë projekt do e diskutojmë me ju, me qytetarët.”

“Këtë projekt do e paraqesim në komisionin e reformës territoriale. Këtë projekt do ta diskutojmë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës që është institucioni numër një me ekspertizën më të madhe për reformën territoriale”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha gjithashtu se mazhoranca nuk do të votojë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ai deklaroi gjithashtu se disa qeveri evropiane dhe vetë Komisioni Evropian po e ndjekin me seriozitet situatën në Shqipëri.
“Në opsionet që kanë përpunuar, kanë përpunuar dhe opsionin e padëgjuar ndonjëherë në historinë e BE-së të zhbërjes së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë. E di çdo të thotë zhbërje e plotë? Do të thotë anullim i të gjitha marrëveshjeve, vizave, stabilizim-asocimit, pranimit të kërkesës për anëtarësim, statusit të kandidatit”, tha Berisha.

Sa i përket emërimit të Dashnor Sulës në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, Berisha tha se ai u bë “patericë e Ramës dhe se PD ndahet nga këta njerëz”.

Berisha: Gjykata Kushtetuese rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pas 10 orësh diskutime nuk arriti të marrë një vendim mbi kërkesën e Kryeministrit për heqjen e pezullimit të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi qëndrimin e disa prej gjyqtarëve dhe theksoi se rrëzuan një kërkesë që ishte baras me një grusht shteti kundër shqiptarëve.

“Pas 9 orësh, të ndryrë në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër, unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve”, tha Berisha.

Megjithatë, Berisha tha se gjykata i dha kohë mbi dy muaj Ballukut që “të fabrikojë dhe të falsifikojë çdo dokument”.

Ai theksoi se ndarja katër me katër në Kushtetuese bëri që kërkesa e Ramës të mos miratohej.

“Të paktën vendimi ishte që kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave”, deklaroi Berisha.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim të opozitës, duke kërkuar që “populli opozitar të shumëfishojë energjitë dhe forcat” deri në largimin e qeverisë.

Berisha u shpreh i bindur se reagimi qytetar do të sjellë ndryshim.

“Jam i bindur se kryengritja paqësore e juaj, e guximtarëve shqiptarë, do të rikthejë Kushtetutën, ligjin. Do të rikthejë votën shqiptarëve, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës”, u shpreh Berisha


Shtuar 7.02.2026 14:41

Tags: ,