Berisha reagon për atentatin me dy viktima: Shkodra në mëshirën e krimit, qytetin po e sundojnë bandat

Në një status në faqen e tij në “Facebook”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas atentatit mafioz me dy viktima dhe dy të plagosur mëngjesin e sotëm në Shkodër.

Berisha shkruan se autori i vrasjeve, ishte liruar megjithëse kishte qenë më parë bashkëpunëtor në krim.

Sipas tij, qyteti i Shkodrës është lënë qëllimisht nën sundimin e bandave dhe krimit.

Reagimi i Sali Berishës:

Miq, sot në mëngjes masakra e rradhës me dy të vdekur dhe dy të plagosur. Në mes të qytetit brenda në kafene breshëritë u morën jetën dy personave dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë njëra prej tyre kamariere shërbimi. Vrasësi, një i arrestuar dy vite më parë për bashkëpunim në krim por i liruar nga Tualanti apo ndonjë taulant tjetër për të vazhduar punën e tij katër ditë më parë pati një tjetër të vrarë.

Shkodrën me qëllim e sundon krimi, bandat, vetgjyqësia dhe hakmarrja e ndihmuar nga narkoqeveria. Dënoj me forcën më të madhe qëndrimin hakmarrës të Ramaduros ndaj Shkodrës dhe qytetarëve të saj.


Shtuar 8.09.2025 12:39