Berisha: Rama, i vendosur të përdorë çdo pushtet për të asgjësuar opozitën e vërtetë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur mbrëmjen e sotme në selinë blu, kryesinë e partisë. Pasi foli për procesin e primareve, Berisha u ndal dhe te situata politike në vend, ku tha se jemi në një regjim të vendosur nga Edi Rama.

“Zhvillimet politike në vend janë tipike për një regjim mafioz, një regjim që bazohet në drogë e krim, që ka vendosur monizmin e plotë bazuar në vjedhjen e votës. Ky regjim, i Edi Ramës, nuk mjaftohet vetëm me votën, nuk kënaqet vetëm me të. Ky ka nisur betejën e egër kundër mendimit ndryshe, kundër mediave të lira. Kemi të bëjmë me një armik të vërtetë të lirisë në kuptimin më të gjerë të saj”, tha Berisha.

Lideri i demokratëve u ndal edhe njëherë te sulmi ndaj tij, ku tha se është porositur nga Rama.

“Edi Rama është i vendosur të përdorë çdo pushtet që ka në dorë për të zhdukur dhe asgjësuar jo vetëm mediat e lira por edhe opozitën e vërtetë shqiptare. Pakti i tij me datën 6 dhjetor ishte përpjekja e të verbit mendor nga urrejtja sesi në një moment ku zhurma mund të bëhej më e vogël, mund t’i jepte goditje fatale opozitës. Ka një debat normal, se njeriu i fundit që do të bënte një akt të tillë, është Edi Rama. Ata janë njerëz fatkëqinj që e besojnë këtë, sepse Edi Rama me shëmbëlltyrën e tij, mund t’ju them se e ka përllogaritur vetë. Një hakmarrje e llojit të të atit të vetë, për opozitën që guxoi të thërrasë protestë ditën e samitit. Pra, marrë në këtë kontekst, ai ishte njeriu më i interesuat dhe kishte qëllimet më të qarta me atë akt, por të gjitha të dhënat më të pasme, dëshmuan se ishte akt shtetëror i porositur nga Rama dhe i zbatuar nga Çuçi i shtetit, Ardi Veliu, i kryer nga një informator i policisë kriminale”, tha Berisha./albeu.com

 


Shtuar 14.12.2022 17:54