Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, se së bashku me ish-vartësen e tij, Belinda Balluku, kanë mbyllur dyert e integrimit në BE.
“Për Shqipërinë dhe shqiptarët, procesi më themelor për të ardhmen e tyre është integrimi i vendit në BE. Shqipëria në Europë është ëndrra shekullore e shqiptarëve. Shqipëria në Europë është investimi i tyre 32-vjeçar. Por Shqipëria në Europë është gjithashtu investimi i BE, Komisionit Europian, vendeve anëtare të BE, miliarda, miliarda, miliarda euro me të cilat ky vend është transformuar sa asnjë vend tjetër, po të kemi parasysh gjendjen në të cilën ishte. Shqipërisë në Europë i mbylli dyert Edi Rama dhe Lubi Balluku”, tha Berisha.
Të lidhura
None found
Gjithashtu, Berisha theksoi se ish-zevendeskryeministrja e marrë e pandehur nga SPAK, krenohej me 12 miliarda euro investime, por rrugët, që ai i cilësoi si prej kashte, u shembën njëra pas tjetrës këtë pranverë.
“Do të ishte e padrejtë që të shkarkonim mbi Lubinë këtë përgjegjësi. Lubia ka përgjegjësi të mëdha për vjedhjet që ka bërë, për shpërdorimin, për vjedhjen e miliarda eurove. Lubia ka disponuar 12 miliardë euro investime dhe tani, sipas vetë Edi Ramës, janë ndërtuar thotë ai, që nuk janë kurrë, po le ta supozojmë që është e vërtetë, 1 mijë kilometra rrugë, të cilat u shembën si rrugë kashte njëra pas tjetrës në këtë pranverë. Por, njeriu që mbylli dyert e Europës, duke përdorur për këtë qëllim dosjen e Lubisë, pasi është dosja e tij, është Edi Rama dhe ka vetëm një emër, që quhet Edi Rama”, shtoi ai.
Ai u ndal edhe te shqetësimi i KE, në raportin e tetorit të kaluar, për presionin në rritje ndaj drejtësisë.
Sipas Berishës, vendimi për të mbrojtur Ballukun nga drejtësia, me votat e socialistëve, u mor jo me vullnetin e lirë të deputetëve, por në diktatin e Ramës.
“Në raportin e tij, në tetor të vitit të kaluar, Komisioni Europian ka ngritur si çështje themelore për Shqipërinë rritjen e presionit politik ndaj gjyqësorit nga Edi Rama, luftën e dobët kundër korrupsionit dhe problemet madhore me lirinë e medieve. Këto probleme jo vetëm që nuk morën një adresim të përshtatshëm dhe pozitiv, por njohën përkeqësimet më të mëdha në 32 vite. Për herë të parë, parlamenti i Shqipërisë bllokon kërkesën e prokurorisë së vendit për arrestimin e zëvendëskryeministres Lubi Balluku.
Dhe këtë vendim, 83 mandatet e krimit që u përdorën si thika kundër drejtësisë nga Edi Rama, deputetët nuk e morën me vullnet të lirë, por në diktat të plotë të Edi Ramës. Madje, siç e dini, Edi Rama deklaroi në mënyrë të papërgjegjshme se këtë vendim të tillë do ta merrte çdo parlament i çdo vendi demokratik.
E vërteta është se një vendim të tillë nuk e merrte kurrë parlamenti i një vendi demokratik. E vërteta është se për Brukselin, për shqiptarët dhe për cilindo njeri që ka ABC-në e shtetit ligjor, ky është një vendim antikushtetues me pasoja shumë të rënda, shkatërrimtare për luftën kundër korrupsionit”, tha Berisha.
