Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se “opozita e re” e ka trembur Edi Ramën duke e detyruar atë që të nisë takimet me qytetarët dhe të dalë në media. Sipas Berishës, turi i takimeve që ka nisur Rama do të jetë i fundit për të.
Duke folur për çështjen e logos brenda PD-së gjatë një interviste të dhënë për RTSH, Berisha tha se qeveria kërkon ta rrëmbejë. Ai është shprehur se kushdo që bëhet pjesë e lojës së qeverisë, kthehet në një mashë të saj.
Berisha: Unë mendoj se ka një përmbysje të vërtetë në mënyrën si drejtohet opozita. Sot Shqipëria ka një opozitë të vërtetë. Këtë e ndjen Edi Rama që tani del përpara mediave në mënyrë konstante. Ai ka filluar turin e partisë së shtet, turi i fundit i turpshëm. Po mbledh institucionet, rrogtarët duke dëshmuar se po garon si një parti shtet. Nëqoftëse u referohemi sondazheve dixhitale, ka një prevalencë të opozitës mbi Ramën. Rënia e tij është pothuajse e lirë. Po të mos ishte opozita, do ishin siç kanë qenë. Opozita është një opozitë e besueshme nga qytetarët. Opozita bën denoncime të bazuara mbi të vërteta. Nuk është më një freskore e regjimit, por janë forca politike që qëndrojnë ballë për ballë. Është një pjesë, që për arsye të tyre mbajnë qëndrime të tjera.
Pyetje: Sa deputetë të PD-së ju mbështesin ju?
Berisha: Unë mendoj se shumica janë me PD-në.
Pyetje: Ju pengon në punën tuaj të përditshme, mungesa e vulës dhe logos zyrtare?
Berisha: Është qeveria që kërkon të rrëmbejë logon e PD-së e ndihmuar nga ambasadorja Yuri Kim. Ata janë anëtarë të PD-së, por ata që vazhdojnë atë lojë, janë mashë e Edi Ramës.