Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar sipas tij, propagandën çnjerëzore të narko-regjimit të Edi Ramës, kundër lirive, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se roli i çdo demokrati dhe demokrateje është jetik dhe vendimtar për të ndriçuar mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për të mbrojtur qytetarët nga një agresion mediatik, të cilin e kanë njohur vetëm në diktaturë.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohje më të pakufijshme ndaj jush guximtareve dhe guximtarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar. Mirënjohje të pakufijshme oratorëve të parlamentit të lirisë që shpërndajnë çdo natë në të katërta anët e vendit të vërteta që nxjerr propaganda e mashtrimit qeveritar. Që nxjerrin çdo natë në pah fytyrën e vërtetë të narko-regjimit dhe kreut të tij, Edi Rama.
Të dashur miq, nuk ka sot popull në Europë që të ketë një propagandë kaq mashtruese mediatike sa Shqipëria. Kjo propagandë është shndërruar në armën më çnjerëzore kundër qytetarëve shqiptarë, kundër lirive tyre, dinjitetit tyre, shpresës tyre, ekonomisë tyre, të ardhmes së tyre.
Kjo propagandë e cila ushqehet ditë e natë me paratë e taksave tuaja, dhe që shpallet private, po në fakt është gjer në palcë shtetërore kundër jush punon nga mëngjesi në darkë vetëm e vetëm për të përpunuar mendjet tuaja, mendjet e qytetarëve, për t’i manipuluar ato, për t’i mashtruar ato.
Kjo propagandë arrin në veprime jashtë imagjinate të paraqesë krimin sukses, të paraqesë shndërrimin e votës në krim dhe krimin në votë si fitore, të paraqesë grabitjen e votës si aftësi dhe zotësi të Edi Ramës, të paraqesë mashtrimet e tij dhe qeverisë së tij ndaj qytetarëve si të vërteta për shqiptarët.
Në këtë kontekst, në këtë kuadër, roli i secilit prej jush, roli i çdo demokrati dhe demokrateje është jetik dhe vendimtar për të ndriçuar mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për të mbrojtur qytetarët nga një agresion mediatik, të cilin e kanë njohur vetëm në diktaturë.