Berisha premton revolucion në Shëndetësi dhe Arsim: Dyfishim buxheti dhe rroga më të larta

Këtë të premte, kryetari i PD Sali Berisha, në një takim me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, prezantoi një platformë të zgjeruar për reformimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në vend, duke e cilësuar si një prioritet kombëtar me pasoja të drejtpërdrejta për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe arsimin”, deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo është mënyra e vetme për të ndalur krizën në dy sektorët më jetikë të vendit.

Gjithashtu, Berisha theksoi se nuk do të ketë më mjekë e infermierë të papaguar denjësisht, duke premtuar rroga të dyfishuara dhe një pagë minimale prej 1500 eurosh për mësuesit.

Në përgjigje të mungesës akute të stafit mjekësor, Berisha u zotua se do të hapet një fakultet i dytë mjekësie, ndërsa do të rritet ndjeshëm numri i pranimeve në të dy institucionet përkatëse.

“Nuk përballohet më, eksodi i mjekëve ka krijuar një shterrim të frikshëm të personelit shëndetësor”, paralajmëroi ai.

Një tjetër pikë kyçe në planin e Berishës,  është ndarja e qartë mes sektorit publik dhe atij privat në shëndetësi, duke denoncuar bashkëpunimet “mafioze” që sipas tij, kanë degraduar sistemin.

“Aparaturat moderne janë të bllokuara me qëllim nga ata që duan të mbajnë të dobët sektorin publik”, u shpreh ai.

Berisha premtoi gjithashtu, që lista e barnave të rimbursueshme do të jetë identike me atë të Italisë dhe se në Shqipëri, nuk do të shitet asnjë ilaç që nuk është i certifikuar në të paktën dy vende të Bashkimit Evropian. “Garantojmë cilësinë dhe kapshmërinë e ilaçeve për çdo qytetar”, tha ai.

Duke kritikuar drejtimin aktual të Ministrisë së Shëndetësisë, Berisha e quajti atë “drejtimin më injorant dhe të paskrupullt në historinë e vendit”.

Kreu demokrat, krahasoi figurat aktuale me drejtues të shëndetësisë në periudha më të vështira të historisë së vendit, duke theksuar se edhe në diktaturë, “ministrat kishin integritet dhe dije”.


Shtuar 25.04.2025 13:05