Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se opozita ka nisur betejën e saj përfundimtare, të cilën e cilësoi si një përpjekje për fitoren e PD-së dhe të shqiptarëve. Gjatë fjalës së tij para mbështetësve në “Foltoren” e PD, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe mungesë guximi politik, duke e përshkruar si një drejtues që, sipas tij, qeveris përmes frikës dhe abuzimit me pushtetin.
Ai u ndal edhe te situata e protestave para Kryeministrisë, duke përmendur ndërhyrjet e përsëritura të policisë ndaj protestës së organizuar nga Adriatik Lapaj, të cilën e cilësoi si paqësore dhe qytetare. Sipas Berishës, këto veprime tregojnë, sipas tij, frikën e qeverisë ndaj reagimit qytetar.
Berisha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të çojë përpara këtë betejë politike deri në fund, duke e konsideruar atë si vendimtare për ndryshimin e situatës politike në vend.
DEKLARATA:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, të pranishëm sot në këtë shesh, një përshëndetje të përzemërt, vëllazërore. Të nderuar deputetë të opozitës, drejtues të PD. Të nderuar protestues të partisë Shqipëria Bëhet. Sonte, ne mblidhemi për të shpallur para jush këtu, për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve.
Miqtë e mi, parafolësit këtu theksuan se Edi Rama është një hajdut i papërmbajtur, por në të gjitha ligësitë e njeriut, ajo që shterron guximin më shumë është vjedhja. Ndaj dhe Edi Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë. Vetëm një moment, shikoni se ç’bën çdo natë me Adriatik Lapajn, në protestën e tij më qytetare, më civile. Vë një karrige aty, disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari. Çdo ditë, me orë të tëra policia, banditët ua heqin çadrat, u heqin tavolinat, u heqin ujin me akte banditeske. Pse kjo?
Sepse ai është kryefrikacaku i kombit. Kryehajduti është edhe kryefrikacaku i kombit. Dhe u garantoj unë se ai është aty, se ai vjedh shqiptarët ditë e natë, nuk ngopet kurrë, e tha bukur Gëzim Sadiku, ai nuk ngopet kurrë. Ai i bën të gjitha këto vetëm për shkakun tonë, se e lejojmë ne. U jap ju fjalën e nderit, se kur ta zëmë në këtë shesh, me betimin se nuk e lëshojmë pa largimin e tij, ai do ia mbathë. Po, po miq.


