Berisha paraqet ofertën e tij: Do të ndryshojmë statutin e PD, do lejojmë fraksionet

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë takimit të ditës së sotme me bazën e PD-së në Kukës, vuri theksin te ndryshimet në statutin e kësaj force politike.
Berisha dha disa detaje nga ndryshimet që mund ta pasojnë statutin e PD, nëse do të arrinin të hiqnin Bashën nga posti i kryetarit.

“Primaret janë që të zgjedhurit vendore dhe qendrorë të Kukësit, Hasit, Tropojës, Gjirokastrës rtj, ti zgjedhë të gjithë anëtarësia e partisë, të dalë në krye ai që merr vota më shumë. Nëse doni ju ky është njëri variant. I dyti i primareve është që të votoni jo vetëm ju, anëtarët, por edhe mbështetësit tanë, të vinë të votojnë me ne për të përcaktuar kryetarin, deputetin, kryetarin e bashkisë. Për të përcaktuar këshilltarët. Ish kryetari kur e mori karrigen kishte dhënë një urdhër, kishte përjashtuar nga gara të gjithë kryetarët e grupseksioneve. Këto marrin fund. Ish kryetari ka vendosur në statik që kryetarët dhe sekretarët nëse kandidojnë do të japin dorëheqjen ndërsa ai vetë jo. Ai duhet të ikë sa më parë. duhet të jenë të barabartë. E fortë është ajo forcë politike që gjithsecili ka një votë,” deklaroi Berisha.

Gjithashtu, ish-kryeministri u shpreh i hapur për krijimin e fraksioneve brenda partisë. “Cilido që është i aftë të krijojë fraksionin është i mirëpritur. Ne s’kemi frikë nga liria. Janë të mirëseardhur. Fraksionet kanë rregullat e tyre. Ne do e bëjmë këtë parti shumë herë më demokratike. Do ta lartësojmë. Pas 30 vitesh jemi 30 herë më të zotë për ta shndërruar PD në shtëpinë e vërtetë të lirisë,” tha ai./albeu.com


Shtuar 12.10.2021 18:53