Ditën e sotme gjatë një konference me gazetarët, kreu demokrat Sali Berisha, u shpreh se nëse vjen në pushtet, në 100 ditët e para të qeverisjes së tij do të ‘shkrijë’ e-albania dhe do rikthejë të gjitha zyrat si vitin në 2013.
Berisha: “Turi i dy ditëve të fundit që përshkoi jugun dhe që nisi në Fier, vazhdoi në Gjorm, të nesërmen në Himarë, Borsh, Sarandë, Gjirokastër, ishte në memorien time, i paprecedent në 2 dekadat e fundit.
Ishte mund ta quajmë turi i entuziazmit, optimizmit dhe vendimit të jugut të Shqpërisë për t’u ndarë me të keqen e madhe që tani po e quajnë universalisht Edi Rama.
Kthehem mirënjohës pafundësisht ndaj atyre mijëra e mijëra qytetarëve me të cilët komunikova në sheshet, lokalet, rrugët e këtyre qyteteve.
Kthehem me një optimizëm të madh me atë situatë të elektrizuar që unë gjeta, të pashoqe në takimet masive dhe në bisedat që pata gjatë këtij turi me të rinjtë, burrat, gratë, njerëz të profesioneve të ndryshme, njerëz të origjinave të ndryshme etnike, pensionistë, profesionistë.
Pra mund të them se programi i PD është sot programi më i shkëlqyer që kjo forcë politike ka paraqitur ndonjëherë para shqiptarëve.
Konstatova me dhimbje të madhe se jugu lëngonte për mungesën e qindra mijëra të rinjve, që ishin larguar nga ato zona.
Ju duhet të dini një gjë se në qoftë se largohemi pak kilometra nga bregdeti, në zonat e jugut fillon një shkretëtirë në raport me banorët. Një pakësim jashtë imagjinate.
Shkolla të mbyllura, klasa kolektive me pak nxënës. Qendra shëndetësore me dyer të mbyllura me ferra. Mungesë mjekësh, mungesë shërbimesh.
E-Albania, kurthi më i keq i kohërave i Edi Ramës. E kam quajtur telefoni i prishur.
Jo, në jug zbulova një gjë tjetër. Jo, ai ishte kurthi i gjobave.
Çfarë ndodhte? Aplikonte banori nga jugu për të marrë dokumentet e tokës në e-Albania. Dy muaj heshtje mortore, pas dy muajsh, pasi bëhej një lojë e tmerrshme psikologjike me pronarin e tokës, i vinte sekseri.
I thoshte ke aplikuar aty, atëher për një dynym tokë duhet të japësh 5 mijë euro. Për dynymin tjetër 5 mijë euro e më shumë.
Dhe njëlloj si Lubi Balluku që i ndan rrugët me lote, e-Albania ua ndante me dynym dokumentet e pronësisë së tokës, pronarëve të tokave në jug.
Atje, mungesa e të gjitha zyrave, shkatërrimi i qyteteve, heqja e administratës.
Por premtimet e mia ishin të qarta se kjo merr fund 100 ditët e para. Në çdo rreth do kthehen të gjitha zyrat siç kanë qenë në vitin 2013. Të gjitha shërbimet pa përjashtim.
100 kilometra bën ai nga Himara për të shkuar në Vlorë. Jo. Bashkia do i ketë aty shërbimet.
Ky ishte një tur nga i cili njeriu kthehet mirënjohës, por kthehet edhe i trishtuar kur sheh gjendjen e atyre zonave mahnitëse, bukurive magjepsëse, trashëgimive kulturore unike me braktisjen masive të tyre, me vjedhjen e madhe…
80 përqind e të rinjve që mbaronin gjimnazet, largoheshin.
Shqipërisë po i ikin rinia dhe kjo fushatë dhe ky 11 Maj është vendimtar për fatin e saj.
I përshëndes të gjithë ata qytetarë që më pritën me aq entuziazëm dhe i garantoj se çdo premtim që kam bërë para tyre do shndërrohet në realitet në mënyrë të padiskutueshme”.