Berisha nga Kavaja: Ta përmbysim diktaturën e dytë, s’e pranojmë kurrë një regjim hajdut si ky! Më 22 dhjetor të gjithë në Tiranë

Kryedemokrati Sali Berisha, nga podiumi i tubimit festiv në Kavajë për 35-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike, u bëri ftesë të gjithë qytetarëve që më 22 dhjetor të mblidhen në Tiranë për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Ndërsa nënvizoi se historia i thërriste për herë të dytë kavajasit që të rrëzonin diktaturën e radhës, kryetari i selisë blu theksoi se qeveria qëndronte në pushtet bashkë me kryeministrin e saj, për shkak se nuk ngriheshin ata në protesta.

“Qytetarë dhe qytetare të Kavajës, historia ju thërret përsëri, thërret të gjithë shqiptarët që të ngrihemi për të përmbysur diktaturën e dytë. Edi Rama qëndron në pushtet jo se ka fuqi e mbështetje, por se nuk ngrihemi ne! Por ne do ngrihemi, qytetarë të lirë, se nuk pranojmë kurrë një regjim si ky”, u shpreh ai në fjalën e tij.

Duke iu kthyer akuzave për vjedhje dhe aferat skandaloze të zyrtarëve të lartë, ai përmendi emrin e Ergys Agasit, për dosjen e AKSHI-t ku ka 6 të pandehur deri tani nga SPAK, mes tyre edhe drejtoresha Mirlinda Kërçanaj, ai denoncoi se ishin bërë 50 mln euro transaksione jashtë vendit.

“Një emër që keni dëgjuar ditët e fundit, Ergys Agasi, i larguar apo jo, vetëm me një transaksion jashtë shtetit, ka vjedhur 50 mln euro shqiptarëve. Vjedhjet e tyre janë të pafundme e do marrin atë që meritojnë. Ndaj ftoj qytetarët e Kavajës të jenë në krye të lëvizjes së tyre”, tha lideri i opozitës.

Në fund Berisha i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 22 dhjetor të mblidheshin në Tiranë për të rrëzuar regjimin, njëlloj si më 22 shkurt 1991.

“Vetëm një ditë s’kam për ta harruar, 20 shkurtin e vitit 1991, se mos diktatori ua bllokonte rrugën e s’do vinin dot. Janë gdhirë gjithë natën e kanë mbërrit në Tiranë për t’ju bashkuar të gjithë shqiptarëve atje. Ndaj duke ju falënderuar nga këtu, para të gjithë qytetarëve e qytetareve të Kavajës, ju ftoj të nisim betejën tonë pa kthim, fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e Shqipërisë. Gëzuar”, përfundoi kryedemokrati fjalën e tij.

Më pas ceremonia kaloi në momente festive me prerjen e tortës nga vetë kryedemokrati Berisha, dhe trokitjen e gotave mes mbështetësve demokratë.


Shtuar 18.12.2025 19:12