Kryetari i Partisë Demokratike tha sot nga Foltorja e radhës para kryeministrisë se Edi Rama i mashtron në mënyrë të paskrupullt si për sistemin demokratik që pretendon, ashtu edhe për uljen e akcizës së naftës, ku nënvizoi se kemi barrën më të lartë fiskale në botë për karburantet.
Ai akuzoi mazhorancën për vjedhjet dhe skandalet korruptive duke bllokuar edhe integrimin e vendit, nga vjedhja e votës së lirë, tek mashtrimet publike.
Të lidhura
None found
“Ju falënderoj që mblidheni këtu çdo javë dhe përfaqësoni zërin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë, i bëni shërbim të jashtëzakonshëm opozitës dhe mbarë shqiptarëve. Kjo foltore u nis si e qytetarëve dhe me fjalimet e mbajtura këtu është pa diskutim një kreshmë në oratorinë, zërin, përgjegjësinë e qytetarëve shqiptarë. Sot, më shumë se kurrë, shoqëria jonë, qytetarët shqiptarë, kanë nevojë për fjalën e të vërtetës, për zërin e të vërtetës, sepse ne jetojmë në një terror, të jashtëzakonshëm të propagandës dhe mashtrimit. Sot mediat e kontrolluara nga qeveria, 24 në 24 orë, në shtatë ditë të javës, shpërndajnë mashtrime, trillime, me të cilat kanë vetëm një qëllim, të mbajnë me çdo kusht në këmbë regjimin mafioz të Edi Ramës, pasi ai i ushqen ato me paratë që u vjedh qytetarëve”, tha Berisha.
Dhe duke vijuar diskursin e tij politik për “bëmat” e ekzekutivit, ai vuri në dukje se mashtrimi dhe vjedhja e tyre nuk ka kufij, duke e shitur Shqipërinë sikur të ishte Berlini apo Parisi. Ai e cilësoi Ramën si “padrinon e mafias së Ballkanit”.
“Flasin për Tiranën dhe Shqipërinë, sikur flasin për Pragën, Berlinin, Parisin apo vende e qytete ku demokracia është e paprekshme. Ato në këtë mënyrë barazojnë Ramën, padrinon më të rrezikshëm të mafias së Ballkanit, me njerëzit e lirë, me qeveritë e lira, që respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe zëvendësohen me votën e tyre. Nuk ekziston një sistem, lakej e çakej përpiqen të bindin shqiptarët, ku blihet vota me grupe kriminale e kartele, e blen me të gjithë mënyrat, në sistem demokratik thonë ata, që ushqehen si shushunjë me taksat tuaja, duan të mbulon vjedhjet e Ramës, duan të mbulojnë përçmimin që Rama ka për qytetarët”, vijoi kreu i demokratëve.
Berisha akuzoi edhe kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako, duke e akuzuar se rriti rrogën e vetë me vendim të Këshillit Bashkiak, por ka lënë 6 mijë familje pa dëmshpërblimet e përmbytjeve. Ai e thirri atë me epitetin “Gjushi me pantallona”.
“A morën dëmshpërblim 6 mijë familjet e Durrësit që u përmbytën? Asgjë! Ata nuk marrin shpërblim, kurse Gjushi me pantallona, apo Sakoja, rrit rrogën e vetë, mbledh Këshillin e rrit rrogën pa shkuar në punë, për të vjedhur duke fjetur”, u shpreh lideri i selisë blu.
Berisha preku edhe situatën aktuale ekonomike dhe në veçanti krizën e karburanteve dhe çmimin e tyre, duke akuzuar përsëri kryeministrin se po mashtron shqiptarët, duke u vendosur barrën fiskale më të lartë.
“Miq, është një censurë, që kërkon të vërë njerëzit me narkozë. Shikoni çfarë ndodh këto kohë, nafta nga Bordi i tij ka arritur nivele më të larta në botë, 220 lekë, mashtruesi deklaron se po u rrit mbi këtë nivel do ulë 8 lekë akcizën. Nuk është asgjë kjo, mbi këtë nivel rritja e TVSH është mbi 8 lekë, problemi është se ky njeri ka vendosur mbi litrën e naftës barrën fiskale më të lartë në botë, kush të dojë të kontrollojë në Google, vendi me barrën më të lartë në botë, Shqipëria del. Dhe ky tallet me shqiptarët se po ul akcizën kur nafta kalon 220 lekë. Nuk ka skrupuj, është qëndrimi më armiqësor që mund të mbahet ndaj tyre”, tha ai.
Gjithashtu vuri në dukje edhe tarifat e larta që paguajnë studentët shqiptarë për shkollimin brenda dhe jashtë vendit.
“Studentëve u them se ju paguani tarifën më të lartë në Europë pas atyre të Britanisë dhe Holandës, ju paguani tarifë 4 herë nominalisht se Austria, Sllovenia, Italia, Franca, Gjermania, e po t’i marrim në propocion është 16 herë më e lartë. Ky i thotë studentëve arritje e jetës time. Mashtron në mënyrën ordinere, të paskrupullt, vizat jo vetëm nuk i hoqi ai, por bëri grevë urie në këtë shesh që vizat të mos hiqeshin për shqiptarët. Kemi të bëjmë me një njeri që s’ka turp e ndjenja, që ka korruptuar deri në palcë, edhe mediat, që shpërndajnë mashtrime e trillime 24 orë”, tha ai.
