Berisha nga Dibra: Ky fllad fitoreje e ka tmerruar Ramën, është në kohërat më të vështira të ekzistencës së tij

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim elektoral me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë,” për Bashkinë Dibër, Ismail Uka. Nga Dibra, Berisha tha se era e shpresës dhe flladi i fitores kanë tmerruar kryeministrin Rama.

Berisha: Kjo erë shprese, ky fllad fitoreje e ka tmerruar Edi Ramën, i cili është në kohërat më të vështira të ekzistencës së tij, është në kohërat e numëruara të fundit të regjimit të tij despot, monist.

Ish-kryeministri theksoi se kjo situatë shprehet me fushatën e mazhorancës, të bazuar sipas tij në banalitet. Sipas Berishës, kandidatët e mazhorancës nuk dalin dot dhe të ballafaqohen me kandiadët rivalë.

Berisha: Kjo situatë, ky dëshpërim shprehet më fushatën e tij të bazuar në banalitetin e një njeriu që nuk ia lejon kurrë vetes në publik. Shprehet me zinxhirin e pafundëm të mashtrimeve, por shprehet me largimin e tij dhe të përfaqësuesve të tij, që dalin nga bodrumi i Edi Ramës. Ata nuk ballafaqohen dot me kandidatët rivalë, nuk del këtu rivali i tij të ballafaqohet në këtë shesh, në studio televizive dhe kudo me Ismail Ukën.

Më tej, Berisha theksoi se para kandidatëve të opozitës nuk dalin dot ata persona që përfaqësojnë një parti pushtuese.

Berisha: Sepse, siç e dini, ai është i pesti kandidat si në asnjë vend tjetër në botë, që ndërron brenda 4 viteve. Ata ikën njëri pas tjetrit, secili me mungesë të madhe dinjiteti. Erdhën, vodhën dhe ikën. Prandaj nuk vijnë këtu që të kthejnë xhepat dhe të tregojnë se si kanë qeverisur. Nuk dalin para jush se ata përfaqësojnë një parti pushtuese. Të gjitha ata të cilët që u marrin liritë dhe pasurinë qytetarëve, janë pushtues, pavarësisht nga etnia e tyre./Albeu.com/


Shtuar 5.05.2023 12:25