Berisha në Mallakastër: Basha dhe Alibeaj janë pengje të Ramës, kanë thyer çdo rekord vetëposhtërimi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim elektoral në Mallakastër, ku ka prezatuar kandidatin për zgjedhjet lokale të 14 majit për këtë bashki, Resmi Shanaj.

Gjatë fjalës së tij, Berisha është ndaluar te situata në PD, ku u shpreh se Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha janë pengje të Edi Ramës.  Sipas tij, kjo dyshe ka thyer çdo rekord vetëposhtërimi.

“Labirintet e shpirtit njerëzor nuk mund t’i njohë askujt. Unë jam njeri i besimit, i besoj njeriut. Nga besimi duhet të udhëhiqemi. Por ai që shkelmon besimin, shkelmon mbi veten e tij. Edi Rama i ka kapur si skllevër ata dhe mendojnë se ju nuk i shihni. Ata mendojnë se shqiptarët nuk i shohin. Në 32 vite histori s’ka pasur pengje siç janë Brava dhe Alibasha.

I them dy fjalë këtij (Agron Kapllanajt), e para njëherë, po të jesh burrë dhe po të ndjehesh i njëjtë vije dhe hyje në Primare. Asnjëri nuk e pengoi. Hajde të mateshe në Primare. T’i nënshtrohemi vlerësimit tuaj, besimit tuaj dhe kjo ka marrë fund. Kurrë më kryetari i Partisë nuk do ju caktojë ju, as deputetin, as kryetarin e bashkisë.

PD ka bërë gabime, por merita e saj është se i njeh gabimet. Ne këtë do bëjmë. Ti Kapllan nuk erdhe, nuk të pengoi Berisha, por pallati. Kur ti demokrat që vjen merr tender në pallat, kur qeveria i nxjerr qytetarët me forcë nga pallatet e tyre, ti bëhesh me ta. Ke 97 tendera nga qeveria. Absolutisht kjo qeveri nuk jep kurrë tender pa rryshfet.

Më mirë qëndro me ta, mos hajde këtu. Kandidati i demokratëve është Resmi Shana. Je (Kapllanaj) kandidat i Lulzim Bravës dhe Alibashës, të cilët kanë thyer çdo rekord vetëposhtërimi deri më sot. S’kanë asgjë të përbashkët me asnjë qytet, janë një sekt sikur të kishin lindur në “Rilindjen” e Edi Ramës. Të bashkohemi me moralet tona të sigurt në një fitore të shkëlqyer”, tha Berisha./albeu.com