Berisha në homazhet për Nishanin: Humba një mik dhe bashkëpunëtor të çmuar, i përjetshëm kujtimi i tij

Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë sot në homazhet që po zhvillohen në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, te Presidenca.

Pas homazheve, Berisha ka dalë në një prononcim për media ku u shpreh se Nishani ishte një humbje e madhe, të cilin e ka pasur jo vetëm bashkëpunëtor të ngushtë, por edhe mik shumë të mirë.

 

“Pikëllim. Për të ndarë me Odetën, Ersin dhe Fionën zinë e kësaj gjëmë të madhe që iu ka rënë atyre. Miqve të tyre, të afërmve, por edhe mbarë qytetarëve shqiptarë të cilët kanë parë të Bujar Nishani një qytetar shembullor, familja një prind të shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik. Shtetit shqiptar, një nga shtetarët më dinjitoz në tërë historinë e tij, shoqëria shqiptare dhe shqiptarët, një nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Bujar Nishani në dekada ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë por edhe një miqësi e përsosur. Një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj të themi rrënje. Përkundrazi erdhi gjithmonë në forcim. Ai është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin atë si mik, si bashkëpunëtor të familjes që pati një bashkëshort dhe prind të tillë. Duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë në familjen Nishani, miqtë dhe të afërme të tij u shpreh ngushëllimet e mia atyre dhe shqiptarëve që humbën ish-kreun e shtetit që i dha dinjitet institucionit të Presidencës, i paharruar dhe i përjetshëm do mbetet kujtimi i tij.”, tha Berisha./albeu.com