Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me vendimin e Edi Ramës, për të bllokuar platformën Tik Tok për 1 vit në Shqipëri.
Berisha thekson në mesazhin e tij, se ky është një akt ekstrem censure.
‘Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet’, tha Berisha në mesazhin e tij të shpërndarë në rrjetet sociale.
Reagimi:
Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e Tik Tok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë.
Mirëpo, kompania e Tik Tok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë. Çfarë del?
Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete.
E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet.
Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri. Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma.
Duke ju garantuar se, platforma e Tik Tok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve, ju ftoj të dashur miq, të postoni në llogaritë tuaja të Tik Tok, por edhe rrjeteve tjera sociale, statuse në mbrojtje të kësaj platforme dhe në dënim të censorit ekstrem, narkodiktatorit Edi Rama.
Ndalimi i Tik Tok, akt ekstrem censure! #sb pic.twitter.com/TbydGcSiLN
— Sali Berisha (@saliberisha_) December 22, 2024