Berisha mund të vizitojë SHBA-në? Reagon Partia Demokratike: Përshëndesim qëndrimin e DASH, e drejta ka vonuar por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump

Këtë të enjte, Partia Demokratike, ka reaguar pasi Departamenti i Shtetit pranoi se vendimi për kryedemokratin, Sali Berisha, ka qenë i politizuar nga administrata e mëparshme.

Përmes një deklaratë, Partia Demokratike, ka bërë me dije se Sali Berisha, tashmë mund të udhëtojë i lirë drejt SHBA.

Sipas zyrës së shtypit të Berishës, thuhet se PD vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.

Reagimi:

Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.

E drejta ka vonuar, por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë, me mesazhin e fortë dhe të drejtë, që u përsërit edhe në fjalën e zv. Presidentit Vance në Mynih.

Partia Demokratike, në emër të kryetarit të saj, Sali Berisha, të 26 partive të koalicionit, dhe të demokratëve, që mbajtën barrën e qëndresës, falenderon Deparatamentin e Shtetit për qëndrimin e drejte dhe parimor!

Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës, që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti.
Amerika nuk është e panjohur me këtë skenar, siç e ka dëshmuar katër vitet e fundit në gjuetinë e shtrigave kundër Presidentit Trump.

Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, e pat thënë, në Sheshin “Skënderbej”, 34 vite më pare: “liria funksionon”.

Ajo funksionoi edhe sot.


Shtuar 8.05.2025 13:27