Berisha mbyll fjalimin në protestë, mesazh BE-së: Hapni negociatat, mos ndëshkoni shqiptarët për Edi Ramën

Nga tribuna e protestës para Kryeministrisë, ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Bashkimit Europian të hapë negociatat me Shqipëri dhe të mos i ndëshkojë shqiptarët për Edi Ramën, i cili sipas Berishës hyrja në BE është gjëja e fundit që do.

“Ramës do t’i presim biletën dhe ky është vetëm fillimi i marshimit tonë të lirisë. Këtë javë shpresojmë që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe ju bëj thirrje nga kjo tribunë, hani negociata, mos ndëshkoni shqiptarët për Edi Ramën, që do çdo gjë, vetëm negociatat jo, pasi do ta nxjerrin lakuriq siç është kryedemon dhe hajdutin më të madh në Europë”, tha Berisha.

 

Në mbyllje të fjalës, Berisha përmendi “Ballkanin e Hapur”. Berisha i tha kryeministrit Edi Rama se populli shqiptar do t’i thotë “Jo” Ballkanit të Hapur, Ballkanit të Beogradit dhe atij të Putinit, por sipas tij, ata do t’i thonë “Po” procesit të Berlinit dhe rrugës sonë evropiane.

“Të dashur qytetarë, politika e jashtme si rregull nuk është çështje e mitingjeve dhe protestave, pro kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur ai fut sherre te fqinjët me gjuhën dhe sherret e tij, kur ai shndërrohet në vasal të Vucic, kur ai rrethon Kosovën, nuk ka interesa shqiptare, por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rri pa i thënë: Edi Rama populli opozitar shqiptar patriot kudo që janë, do t’i thonë “Jo” “Ballkanit të Hapur”, “Jo” Ballkanit të Beogradit, “Jo” Ballkanit të Putinit, do t’i thonë “Po” procesit të Berlinit, rrugës sonë drejt Evropës. Ne u mblodhëm këtu për tu çuar një mesazh shumicës së heshtur të shqiptarëve, burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, mjekëve, punëtorëve, juristëve, të gjithë atyre që kanë rënë në heshtje, ngrihuni dhe ju bashkohuni me ne, heshtja është e imponuar. Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për dashurinë tonë, për besimin tonë, ndaj ju ftoj të brohorasim ‘e duam Shqipërinë, të bukurën e dheut, si Shqipëria vend nuk ka, rroftë Shqipëri, Zoti e bekoftë atë’… Faleminderit shumë”, u shpreh Berisha./albeu.com

 


Shtuar 7.07.2022 21:09