Berisha mbështet kreun e ri të SPAK-ut

Kryedemokrati Sali Berisha, ka dalë në mbështetje të kreut të ri të SPAK, Klodian Brahos. Lideri demokrat Berisha, deklaron se kreu i ri i SPAK-ut u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, ndryshe nga Altin Dumani.

Kujtojmë se prej vitesh, Berisha artikulonte politikisht kundër SPAK dhe e cilësonte një “organizatë kriminale”-njëjtë si edhe mazhorancën e Edi Ramës. Shpeshherë i drejtohej edhe si SKAPI i partisë.

“Në dallim nga paraardhësi i cili e mban atë vend çdo ditë në kundërshtim me Kushtetutën, ky u zgjodh në përputhje me Kushtetutën me 7 vota.

Famozi KLP ishte mizogen, a mund të kuptosh ti, ju pyes unë ju zonja, që ato zonjat e KLP-së, Mandri dhe ajo Bogdani, të mos i japin një votë të vetmes përfaqësuese të grave dhe vajzave, që arriti të kualifikohet për vlerësim.

E lanë pa asnjë votë. Mizogeni e plotë. Më shumë se mizogeni”,- u shpreh Berisha.

Më tej, Berisha nuk i ndali akuzat për Altin Dumanin dhe Irena Gjokën, për të cilët shprehet se kanë hyrë në galerinë e turpit të drejtësisë shqiptare.

Sipas tij, kreu i SPAK e mbyll mandatin e tij me faqe të zezë e pasuri të fshehura.

“Nuk është mesazhi i fundit për Altin Dumanin. Ai, bashkë me Irena Gjokën, ka hyrë në galerinë e turpit të historisë së drejtësisë shqiptare.

Nuk është e fundit. Ai ka hyrë në galerinë e turpit dhe të krimit.

Por siç e patë, Irena ka të tjera plot, Altinë ka të tjerë plot, me vendimin që mori Gjykata Kushtetuese, duke i marrë pushtetin plotësisht sistemit të drejtësisë, duke bërë Faktin, Apelin dhe Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë që nuk mund ta bënte kurrë.

Mos harroni se kjo gjykatë një vit më parë ka hedhur poshtë, nuk ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e 30 deputetëve të PD me pretekstin absurd që nuk legjitimohen, në një kohë kur Kushtetuta në mënyrë taksative përcakton një të pestën e deputetëve si institucion që mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese”,– tha Berisha.

Berisha bëri të ditur për mediat se i ka lënë një mesazh Altin Dumanit, ku e cilëson atë armik të pluralizmit dhe të votës së lirë, si dhe mercenar të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij.

Sipas tij, drejtësia një ditë do ta thotë fjalën e saj për veprat e tij të rënda penale.

“Armikut të egër të pluralizmit politik dhe të votës së lirë të shqiptarëve, mercenarit të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij, Altin Dumani, me kujtesën se për veprat e tij të rënda penale, drejtësia një ditë do thotë fjalën e saj”, lexoi Berisha shënimin që i la Dumanit.


Shtuar 15.12.2025 11:05