Berisha mbërrin në seli ndërsa Alibeaj po zhvillon mbledhje me 20 deputetë: Ai nuk ka autoritet në PD

20 deputetë janë të pranishëm në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike, thirrur nga Enkelejd Alibeaj, për të diskutuar për presidentin. Të pranishëm në mbledhje janë: Emilia Koliqi, Flamur Hoxha, Zheni Gjergji, Kreshnik Collaku, Kastriot Piroli, Merita Bakiu, Sajmir Korreshi, Eralda Tase Bane, Selaudin Jakupllari, Jorida Tabaku, Lefter Geshtenja, Ferdinand Xhaferraj, Arbi Agalliu, Gazmend Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi, Andia Ulliri, Bledion Nallbati, Orjola Pampuri dhe Dash Sula.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu ku do të zhvillojë një mbledhje me Komisionin e Rithemelimit, mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të kryesisë së PD-së.

Në një prononcim për median, Berisha tha se Alibeaj nuk ka tagër për të zhvilluar mbledhje të tilla dhe se procesi i zgjedhjes së presidentit është një farsë.

“Alibeaj nuk ka asnjë autoritet nga PD. Dënoj pikëpamjen e Edi Ramës për ta cilësuar diasporën zonë të veçantë elektorale. Paralajmëroj këtu mos luajë me lirinë dhe të drejtën e miliona shqiptarëve që janë sot në të katër anët e botës. Ata do ushtrojnë të drejtën e votës ë tyre. Do të hasë kjo në një rezistencë mbarëkombëtare”, tha Berisha.

Sali Berisha nuk shikon asgjë në veçantë në faktin që nuk u urua nga ndërkombëtarët pas fitores më 22 maj, kur u zgjodh në krye të PD-së. Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se nuk e kanë bërë as herët e tjera.

Sa i takon mosmarrjes së urimeve nga ndërkombëtarët për zgjedhjen në krye të PD më 22 mars, Berisha tha: “Asnjë lloj veçantie nuk mbaj mend kur jam zgjedhur herët e tjera. Nuk mbaj mend të ketë Ambasadorë të më kenë uruar. Mundet, por un në memorien time nuk mbaj mend një gjë të tillë”./albeu.com

 

 


Shtuar 26.05.2022 11:23