Berisha kërkon rimbajtjen e seancës plenare: E bëtë vetëm për të maskuar Erion Veliajn

Këtë të mërkurë, ish-kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Partinë Socialiste për shkelje të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit, duke kërkuar që seanca e kaluar të ripërsëritet për të diskutuar programin qeverisës të PS-së.

Berisha e konsideroi seancën e kaluar si një “turp” që do të mbetet në historinë e shtetit, duke theksuar se procesverbali i saj nuk reflekton realitetin e debatit parlamentar. Sipas tij, seanca e kaluar “u bë për të maskuar 18 Erion Veliaj”.

Ai kërkoi që procesverbali të hidhet “në koshin e plehrave” dhe se kjo seancë duhet të shërbejë si një leksion për transparencën në Kuvend.

Berisha: Akti i vetëm që kjo seancë mund të bëjë për atë procesverbal, ta hedhë në koshin e plehrave seancën dhe procesverbalin.

Ai do mbetet në arkivat e këtij shteti si procesverbali më i turpshëm në të gjithë historinë e tij.

Dhe ky turp do mbulojë ata të cilët zhvilluan një seancë si ajo, e pashembullt dhe e bënë atë vetëm e vetëm për të fshehur, për të maskuar 18 Erionë Veliaj.

Nuk mund t’ia bëje vendit tënd këtë kurrë.

Po citoj Kushtetutën këtu.

Por ti nuk mund t’ia bëje vendit tënd atë kurrë, pse një grup të papërgjegjshmish, që kanë turp dhe frikë nga vetja e tyre, nga rrezja e dritës dhe transparencës, kërkojnë të kalojnë pa transparencë, pa votim, pa asgjë.

Ti shënove rekordin më të zi në historinë e parlamentarizmit shqiptar, në historinë e Europës, në historinë e botës, të çdo regjimi.

Ndaj dhe rikthe seancën, të zhvillohet seanca.

Të mos e kthejë Gjykata Kushtetuese, por ta kthejë parlamenti dhe të bëhen zhvillimet.

Ata që kanë frikë nga vetja e tyre, ata t’ia mbathin, le të ikin.

Kanë frikë të dalin para qytetarëve për mëkatet e tyre, për vjedhjet që kanë bërë.

Nuk është përgjegjësia jonë kjo, është e atyre.

 


Shtuar 24.09.2025 11:30