Një vrasje mafioze pranë aeroportit kryesor të Shqipërisë muajin e kaluar ka rritur shqetësimet se vendi po rrëshqet gjithnjë e më thellë nën ndikimin e krimit të organizuar, shkruan Washington Times. Sipas opozitës, Shqipëria ndodhet pranë shndërrimit në narco-shtetin e parë të Europës.
Më 11 nëntor, Gilmando Dani, i lidhur me rrjetin kriminal Shullazi, u vra me armë zjarri në mes të ditës, teksa kthehej nga Spanja. Pamjet filmike tregojnë atentatorë që dalin nga një automjet i parkuar, hapin zjarr ndaj makinës së viktimës dhe largohen nga vendngjarja.
Sipas kritikëve, ngjarje të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Rrjeti Shullazi dyshohet se është i përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa ekspertë ndërkombëtarë paralajmërojnë se Shqipëria është kthyer në një pikë kyçe ballkanike për kartelet e drogës nga Amerika Latine dhe në një qendër të rëndësishme të tregut europian të kanabisit.
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për Washington Times, deklaroi se degët shqiptare të karteleve të Amerikës së Jugut janë sot transportuesit kryesorë të drogës drejt Europës.
“Ato kontrollojnë çmimin e drogës në Europë dhe po forcojnë ndikimin e tyre edhe në tregun amerikan,” u shpreh Berisha.
Berisha dhe Partia Demokratike kanë kërkuar që SHBA të shpallë kartelet shqiptare të drogës si organizata narco-terroriste. Ai akuzoi administratën e presidentit Joe Biden se ka mbyllur sytë ndaj trafikut të drogës gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, në pushtet që prej vitit 2013.
Në shkurt 2024, gjatë një vizite në Shqipëri, Sekretari amerikan i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken, e cilësoi Ramën si “një partner të jashtëzakonshëm të SHBA-së”, duke vlerësuar rolin e tij në çështjet e refugjatëve afganë dhe Ukrainës. Ndërkohë, International Democrat Union, federatë e partive të qendrës së djathtë, miratoi këtë muaj një rezolutë ku akuzon Partinë Socialiste për infiltrim kriminal në kontrata publike, ndërtim dhe turizëm.
Vetë Berisha është shpallur “non grata” nga administrata Biden në vitin 2021 për korrupsion, vendim që ai e konsideron politikisht të motivuar.
Sipas artikullit, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë probleme të hershme në Shqipëri, por në dekadën e fundit rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar lidhjet me organizata kriminale në Itali, si ’Ndrangheta dhe Camorra, si dhe me grupe në Amerikën Latine. Këto lidhje kanë nxitur një valë të re dhune në Europë.
Një shembull i përmendur është një ngjarje në Bruksel më 29 shtator, ku trupi i një personi të dyshuar si trafikant droge shqiptar mbeti për orë të tëra në një zonë publike – një metodë paralajmëruese e përdorur nga kartelet latino-amerikane.
Artikulli ndalet edhe te bumi i ndërtimit në Tiranë, duke theksuar se sipas Eurostat, ndërtimi përbënte 14.4% të prodhimit ekonomik të Shqipërisë në vitin 2024, përqindja më e lartë në Europë. Media vendase dhe vëzhgues ndërkombëtarë dyshojnë se një pjesë e projekteve të mëdha po financohen nga pastrimi i parave të drogës.
Ndërkohë, rreth një e treta e popullsisë jeton në varfëri, mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar që nga viti 1991, dhe rrjete kriminale dyshohet se shfrytëzojnë sistemin informal financiar “hawala” për transferime të mëdha parash.
Qeveria Rama ka ndërmarrë operacione kundër drogës, përfshirë aksionin e bujshëm në Lazarat në vitin 2014, por sipas kritikëve, industria e paligjshme jo vetëm ka mbijetuar, por është përshtatur. Legalizimi i kanabisit mjekësor në vitin 2023, sipas artikullit, ka nxitur një valë të re aktiviteti kriminal.
Opozita akuzon qeverinë se ka politizuar drejtësinë dhe ka goditur kundërshtarët politikë, duke përmendur edhe çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e cila ka ngjallur shqetësime në nivel europian për shtetin e së drejtës.
Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj paralajmëron se përfshirja e zyrtarëve të një vendi anëtar të NATO-s në krim të organizuar përbën rrezik serioz sigurie.
“Nëse kjo ndodh, vendi mund të kthehet në një hallkë të dobët që mund të shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm për destabilizim,” u shpreh ai.
Artikulli i “Washington Times”:
