Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani, i ftuar në emisionin “3D”, është vënë përballë akuzave të dy liderëve të opozitës Sali Berishës dhe Ilir Metës, ndaj të cilëve SPAK i ka arrestuar.
Dumani deklaroi se ato akuza po i dëgjonte për herë të parë, për shkak se është shumë i angazhuar në punën e tij, gjithsesi theksoi se vihet në dijeni nga stafi i tij.
Në lidhje me 3 aprtamentet e përmendura nga kreu i PD-së, Sali Berisha, Altin Dumani, deklaroi se nuk ka asnjë asgjë për të fshehur, duke përfshirë dhe këto apartamente që sipas tij, i ka dhe i ka të deklaruara.
Kreu i SPAK tha se i është nënshtruar një hetimi të thelluar nga vetingu në lidhje me pasurinë dhe sipas tij, kushdo që është i interesuar mund t’i marrë ato dokumente.
“Është hera e parë që i dëgjoj deklaratat. Kam informacion, sepse stafi i ngushtë më informon. Por vetë, për shkak të kohës së kufizuar që kam në dispozicion, pasi është e mbushur e tëra me punë, nuk kam kohë që të merrem e që ti ndjek. Jemi të vëmendshëm ndaj denoncimeve për afera të dyshuara për korrupsion nga kushdo që bëhen. Pjesën tjetër nuk kam kohë që t’i ndjek me zë dhe figurë. Unë kam një qëndrim indiferent ndaj deklaratave të tilla. Çdo ditë e jetës sime që kur kam futur këmbët në organin e prokurorisë, është që kujdesem që të zbatoj ligjin. Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike. Është zgjedhja ime që t`i anashkaloj.
Nuk kam pse i jap përgjigje Berishës, por i jap përgjigje publikut se paguhem nga taksat e shqiptarëve. Pasuria ime është kontrolluar në detaje përmes një procesi administrativ shumë të thellë. Kush është i interesuar mund të shkojë dhe t’i marrë dokumentet atje nga vetingu. Unë nuk kam asgjë për të fshehur dhe çdo gjë e kam të deklaruar dhe çdo gjë është produkt i punës time dhe të familjes time si dhe të një kredie që unë e kam marrë para vitit 2006. Pasuritë i kam, edhe këto tre apartamente që përmend Berisha. Dy janë para vitit 2013, një është pas. Mua më njohin shumë mirë. Kurrë, kurrë në jetën time nuk kam pranuar jo përfitim të parregullt, jo rryshfet por qoftë dhe një dhuratë që tejkalon shumën prej 100 dollarë që është detyrim ligjor. E kam bërë pakt me veten e familjen time. Unë e dua punën time. E bëj me mish e shpirt”, – tha Altin Dumani.