Berisha: I bëj thirrje Parlamentit Evropian dhe NATO-s që të marrë dosjen “Aruba”, Rama i implikuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe BE-së që të marrë dosjen “Aruba”, ku është i implikuar kryeministri Edi Rama në takimin që ka mbajtur me krerë të organizatave terroriste të drogës në botë.

Ai tha se ka përgjime telefonike dhe të dhëna, duke iu referuar një libri të botuar së fundmi në Romë dhe që flet për takimin e mbajtur në vitin 2019 13 mijë km larg Shqipërisë.

“I bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, të ndalet sepse një kryeministër i një vendi anëtar vë qeverinë në dispozicion dhe diskuton me klane kriminale terroriste, është rrezik për NATO. I bëj thirrje Parlamentit Evropian që të marrë dosjen Aruba, sepse aty qëndron sfinksi i të gjithë veprimtarisë kriminale të Ramës dhe organizatës që ai kryeson. Aty qëndron dhe zbulohet mekanizmi se si u ndërtua shteti i parë dhe i fundit në Evropë. Nuk ka çështje më madhore”, tha Berisha.

Më tej, ai foli edhe për përgjime telefonike të mbajtura dhe se kjo dosje ekziston dhe PD po e shpërndan në të gjitha selitë ndërkombëtare e diplomatike.

“Paraqiten regjistrime telefonike se zyrtarë e këtij vendi fluturojnë me çarter, fluturojnë 13 mijë milje për të takuar përfaqësues të klaneve kriminale. Është dosje e Antimafias italiane, e cila thotë autori, fshihet në thellësitë më të mëdha politike, pa diskutim, por ndodhet edhe në shërbime të tjera”, vijoi kreu i selisë blu.

Ai nënvizoi se lajmi nuk ka dalë në media për shkak se Rama kontrollon mediat, teksa hodhi dyshime se me kryeministrin mund të kishin udhëtuar edhe krerët e klaneve kriminale në Shqipëri. “

“A ishin në avion edhe Çela, Çopjat e me radhë, por aty thotë qeveritarë, ministra. Ia kam thënë edhe në Parlament, çohu e thuaj a ke qenë në Aruba”, vijoi ai.

Sipas Berishës, ky informacion i fundi dhe kjo dosje mund të jetë bërë edhe shkak i anulimit të vizitës së Ramës drejt SHBA-ve.

“A ka lidhje anulimi i vizitës së tij në SHBA me këto, këtë nuk mund të them, s’e di. Por ajo që mund të them është se Rama pas Maduros, sot është i vetmi kryeministër i dokumentuar me lidhje me organizatat narkoterroriste shqiptare dhe botërore”, u shpreh ai.

Berisha theksoi se; PD do bëjë gjithçka që kjo dosje të shkojë në zyrat europiane dhe botërore:

“Ky është një lajm për të cilin PD do bëjë gjithçka, do kërkojë nga vendet partnere dosjen Aruba, ne do ta dërgojmë në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vendet partnere. Rama ka mbrojtësit e tij në aktivitetin narkoterrorist shqiptar dhe ndërkombëtar, por kjo në mënyrë absolute vetëm sa na imponon ne të jemi më këmbëngulës në përballjen me veprimtaritë kriminale”.


Shtuar 25.09.2025 13:38