Berisha: Gratë e PPE mbështetën PD në ditët më të vështira, narkodiktatura u bekua me heshtje edhe nga BE

Kreu i PD Sali Berisha ka mbajtur një fjalim në konferencën “Fuqia e Grave në Politikë”, ku ka theksuar mbështetjen e grave të PPE-së për Partinë Demokratike në periudha të vështira.

Ai ka kritikuar ashpër qeverinë, duke e quajtur atë një “narkodiktaturë” që është e para e instaluar në Evropë.

Berisha u shpreh mirënjohës për praninë e presidentes së PPE, Rosalia Biro, dhe për mbështetje nga figura të tjera të rëndësishme si Maria Gabriel dhe Doris Pack, e cila, sipas tij, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në betejën kundër regjimit aktual.

Ai theksoi se gratë demokratike, kanë kontribuar në përpjekjet për të luftuar për demokraci dhe drejtësi në Shqipëri.

Berisha përmendi se ndonëse në letër, Shqipëria ka një prokurori dhe media të lira, realiteti është ndryshe.

Ai akuzoi qeverinë për kontroll të ashpër mbi mediat dhe sistemin e drejtësisë, duke theksuar se prokuroria speciale nuk ka prekur asnjë aferë që lidhet me kryeministrin aktual.

“Shqipëria ka një prokurori që arreston dhe burgos pa prova, vetëm për të shënjestruar liderët e opozitës”, tha Berisha, duke përmendur se sot ka deputetë të opozitës në burg dhe të tjerë nën arrest shtëpie.

Ai kritikoi se ky sistem ka ndikuar në terrorizimin e popullatës dhe ndalimin e zërave të opozitës.

Berisha përfundoi duke nënvizuar nevojën për një angazhim të vazhdueshëm për të mbrojtur demokracinë dhe për të rivendosur drejtësinë në vend.


Shtuar 29.03.2025 11:39