Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta heqin statusin “non grata” ndaj Sali Berishës.
Kur u pyet nëse do të jetë e lehtë për PD-në që të drejtohet nga një person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Topalli tha: “Shqiptarët, me votimet e fundit, treguan se besimin nuk e lidhin me vendime të marra jashtë Shqipërisë.
Eksperienca politike më ka bërë që ta shoh Sali Berishën në të njëjtin pozicion edhe në vitin 1997 dhe është bërë bashkëpunëtori më i besueshëm i SHBA-së, derisa arriti që të fuste Shqipërinë në NATO dhe të liberalizonte vizat”.
“Kujtoj që një ambasador amerikan tha një frazë për Berishën para pak vitesh, duke e quajtur “fuqi të natyrës”. Zhvillimet e fundit i dhanë të drejtë. Unë mendoj që edhe SHBA-të kanë aftësinë për të korrigjuar veten.
Të gjithë kanë problemet e tyre, pasi ato gjëra që pamë në Capitol nuk besoja se do t’i shikoja ndonjëherë. Por, ata korrigjojnë veten dhe këtë ka demokracia. Unë mendoj se në këtë rast, gjërat mund të ndryshojnë dhe mund të hiqet përcaktimi që kanë bërë sepse është krejt disproporcional”, shtoi Topalli në një intervistë për A2 CNN.
Sipas saj, Berisha e ka marrë Partinë Demokratike.
“Mirë apo keq, kjo parti është e Sali Berishës. Unë nuk do të doja që partia të ishte vetëm e një personi, por ky është realiteti. Unë e kam pasur të qartë gjithmonë, vetëm se të tjerët nuk e kishin të qartë”, u shpreh Topalli.