Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë fjalimi të mbajtur në tubimin e sotëm është ndalur sërish tek skandali i transportit të 816 ton mbetjeve toksike të dala nga porti i Durrësit dhe të evidentuara në Tailandë, e cila i ka kthyer sërish mbrapsht drejt vendit ton.
Berisha hodhi akuza drejt institucionit të Doganës, e cila sipas tij, ka ndryshuar kodet, duke i vendosur kodet e lëndëve jo toksike në ngarkesat e lëndëve toksike.
Sipas kryetarit të PD-së, pas kësaj afere qëndron Qeveria shqiptare dhe Edi Rama. Berisha hodhi akuza edhe ndaj Gent Gazhelit, kreut të Doganës, që sipas kreut të opozitës, ai pyet vetëm Edi Ramën.
Berisha deklaroi më tej se edhe pse në këtë aferë janë përgjegjës direkt Ministria e Financave, Ministria e Mjedisit, me ligj Ministria e Infrastrukturës, ministri aktual i Mbrojtjes Pirro Vengu, SPAK hesht në mënyrë më kriminale dhe më të paturpshme.
Sali Berisha: “Në këtë regjim pothuajse çdo ditë, qytetarët e këtij vendi përballen me një krim të ri, të cilin për fat të keq e etiketojmë skandal, por që në realitet është krim i madh, rrezik i madh, kërcënim i madh. Dhe kjo, e bën qytetarët e Shqipërisë, qytetarët më të pambrojtur të rajonit dhe Europës, për fatin e tyre, për punën e tyre, për biznesin e tyre, për shëndetin e tyre, për shkollimin e fëmijëve të tyre, vendos një regjim i zhytur këmbë e kokë në krim, në vjedhje dhe drogë. Nuk ka sot qytetar më të pasigurtë dhe të kërcënuar se shqiptarët. Krimi i fundit është një krim që mund të ndodhë vetëm në narkoshtete, apo në shoqëri parashtetërore. Nuk ndodh kurrë në një shtet me respekt minimal ndaj ligjit, çfarë do që të jetë ai. Trafiku i mbetjeve toksike është fytyra e vërtetë e Edi Ramës, dhe qeverisë së tij.
Ajo që ka ndodhur me këto mbetje dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale për çdo qytetar shqiptar në këtë vend. Dëshmon kërcënimin e madh, të jetës dhe shëndetit të çdo qytetari nga kreu i narkoshtetit Edi Rama, dhe suita e tij. Pas dy javës zhurme kombëtare dhe botërore, për mijëra ton mbetje toksike që u nisën nga Durrësi për në Tajlandë, rezulton se Edi Rama me heshtjen e tij ka faktuar të gjitha akuzat që janë bërë këtu, në media shqiptare dhe ndërkombëtare, se prapa aferës qëndron qeveria shqiptare, qëndron Edi Rama. A ka akt falsifikimi më të madh, a ka akt kërcënimi më të madh për qytetarët shqiptarë, rrezikimin më të madh të jetës dhe shtetit të tyre, se sa institucionet zyrtare të ndryshojnë kode dhe të vendosin kodet e lëndëve jo toksike në ngarkesat e lëndëve toksike. Kjo do të thotë të vendosësh etiketën e sheqerit, të orizit, aty ku është helmi, ku janë toksinat dhe krim më makabër se ky nuk mund të bëhet. Kjo praktikë e padëgjuar ndonjëherë, kjo praktikë u zbatua në rastin e kontenierëve të cilëve ju ndryshua kodi. Nga lëndë toksike që përmbanin, në lëndë jo toksike dhe këtë e bëri institucioni shtetëror doganë.
Me këtë praktikë, me këtë falsifikim të tmerrshëm në Shqipëri, për të mbushur xhepat Edi Rama dhe suita e tij, mund të futet çdo lloj helmi, çdo lloj plehu, çdo lloj toksine. Ndryshimin e kodeve e ka bërë dogana, por kush është kreu i doganave. Kreu i doganave është ish-bashkëvjedhësi i Edi Ramës, financieri i partisë së krimit, Gazheli. Do ta akuzoja me forcën më të madhe ish-ministrin që e shkarkuan, por nuk e bëj se Gazheli atë e kishte vartës, nuk e pyeste se është i gjallë. Gazheli pyet vetëm një njeri në Shqipëri, ai pyet Edi Ramën. Aktin nuk mund ta bënte kurrë me porosi të njeriu tjetër, përveç Edi Ramës. Sot në media kanë qarkulluar emrat e disa biznesgrave. Ato janë Gugallet, Zotot, Mërtirët e helmeve. Ato janë prestanomet e Edi Ramës, lubi Ballukut, etj., ministra.
Ju duhet ta dini se ligji për eksportin e mbetjeve, cila do qofshin ato, ka kërkesa shumë të rrepta. Së pari autorizimi jepet me firmë të ministri. Së dyti nuk ndërmerret asnjë akt nëse nuk sillet vërtetimi nga vendi pritës, se ai pranon mallin e eksportuar. Por për Shqipërinë, narkoshtetin e Edi Ramës, vendin ku të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu, asnjë rregull, asnjë ligj nuk ka vlerë, nuk ka rëndësi. Kjo aferë kriminale, e pashembullt, dëshmon se në Shqipëri mund të futen qindra e mijëra tonelata nga armë dhe substanca kimike në zbërthim të diktatorëve në paraskadim, gjer tek helme të industrive petrokimike për tu likujduar. Ndërrimi i kodeve është krimi më i shëmtuar, kërcënimi më i madh. Loja me kodet është lojë me jetën e shqiptarëve, lojë me shëndetin e shqiptarëve. Kjo është lojë e Edi Ramës dhe askujt tjetër.
Ndonëse transporti i paautorizuar i helmeve dhe lëndëve të rrezikshme përbën kërcënim madhor për njerëzit dhe mjedisin. Ndonëse në këtë aferë janë përgjegjës direkt Ministria e Financave, e Mjedisit, me ligj Ministria e Infrastrukturës, lubi Balluku, ministri aktual i Mbrojtjes, dezertori i shërbimi ushtarak, Pirro Vengu. Megjithatë Skrapi i partisë hesht në mënyrë më kriminale, më të paturpshme. Hesht për tu dëshmuar shqiptarëve se nuk është gjë tjetër veç se një vegël e verbër në duart e kësaj bande kriminale. Hesht para një afere e cila nuk mund të kurrë të realizohet pa një grup të strukturuar, apo organizatë të strukturuar kriminale të jo më pak se katër apo pesë institucioneve. Nuk mundet kurrë të realizohet pa shkelje të rënda të ligjeve, e me gjithë këtë për Altin mercenarin ky është një krim intelektual, dhe ai nuk merret me krime intelektuale. E ka fjalën për intelektualin e Edi Ramës. Ky qëndrim i papërgjegjshëm ky qëndrim në mbështetje të këtij krimi të madh, i skapit të partisë, bën gjithnjë e më jetike betejën e tonë për qeveri teknike, për zgjedhje të lira.”