Berisha denoncon “trenin bullgar” në Elbasan: Ja provat e gjetura në lokalin e vëzhguesit të PS (VIDEO)

Këtë të enjte, ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, ka denoncuar se në fshatin Pekisht të Elbasanit, në një bar-kafe në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, janë gjetur materiale zgjedhore dhe shuma të konsiderueshme parash, sipas tij për të blerë votat.

Sipas Berishës, informacioni i është përcjellë mbrëmjen e djeshme deputetit të ardhshëm të Elbasanit, Blendi Himçi, i cili sot në mëngjes ka shkuar në ambientet e lokalit dhe ka gjetur aty fletë votimi, lista votuesish dhe materiale të tjera zgjedhore, në një vend të dyshuar si pjesë e asaj që Berisha e quajti “treni bullgar”.

Gjithashtu, Berisha thekson se Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, Bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293.

“Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh”,– shprehet Berisha.

 

 

“Treni bullgar mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty”, u shpreh Berisha, duke iu referuar një praktike të njohur për manipulimin e votave.

Mes të tjerash, Berisha theksoi se ngjarja është e ngjashme me raste të tjera të denoncuara më herët në zona si; Kashari dhe Astiri, ku sipas tij, funksiononin “qendra alternative votimi” të ngritura paralelisht me qendrat zyrtare.

 

Deklarata e Berishës:

Treni bullgari mbeti ne stacionin e Pekishtit, doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.

Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.

Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.

Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit.

Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh.

Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës.


Shtuar 22.05.2025 12:53