Berisha “dënon” hartën e re gjyqësore: Gjobë për banorët e 10 qyteteve (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj hartës së re gjyqësore, sipas të cilës mbyllen 18 gjykata në të gjithë vendin.

Përmes një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se banorëve të 10 qyteteve iu mohohet aksesi te drejtësia.

“Me krijimin e një stoku prej 110 mijë dosjeve gjyqësore dhe mohimit de facto të të drejtës për një process të drejtë gjyqësor, Edi Rama urdhëroi në një akt të papërgjegjshëm KLGJ-në e partisë të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi. Kështu, me hartën e re gjyqësore të Edi Ramës mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi i qytetarëve në sistemin e Drejtësisë; mbyllen 4 gjykata administrative dhe ngelet vetëm një gjykatë në Tiranë dhe një në Lushnje; mbyllen 5 gjykata të Apelit dhe mbetet vetëm Apeli i Tiranës. Praktikë kjo 100% e dështuar pasi u eksperimentua në 1999”, u shpreh Berisha.

Sipas tij “Me këtë vendim gjobiten dhe ndëshkohen banorët e 10 qyteteve të vendit që duhet të udhëtojnë qindra kilomentra rrugë për të shkuar në gjykatën tjetër. Miratimi i hartës së re gjyqësore është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut që dënohet me Kushtetutë”, u shpreh Berisha./albeu.com/