Berisha: Beteja juaj për afirmimin e rolit tuaj përcaktues në shoqëri, është një betejë që përballet me murin mijëravjeçar të patriarkisë

Kryetari i Partisë Demokratike ka folur në Konferencën për Pjesëmarrjen e Grave në Proceset Politike dhe Fitoren e Zgjedhjeve organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë dhe Fondacionit Jarl Hjalmarson.

“Kam ndjekur me interes punimet e kësaj konference, e cila vërtetë mblidhet në një klimë elektorale, por mblidhet për një problem themelor të PD-së dhe shoqërisë tonë, rolin, potencialin e madh të gruas në zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe në fitoren elektorale të zgjedhjeve, por dhe në drejtimin e Shqipërisë”, tha ndër të tjera Kryetari i PD.

Berisha: Mirëmëngjesi dhe një përshëndetje të përzemërt, për ju Albana, për të gjitha zonjat dhe zonjushat e pranishme, deputete drejtuese të PD, por në mënyrë të veçantë unë dua të përshëndes praninë në këtë aktivitet tuajin shumë të rëndësishëm, të Margareta Cederfeldt, deputete dhe anëtare e Komisionit të Jashtëm të parlamentit të Mbretërisë së Suedisë.

Zonjën Hanna Werner, anëtare e Këshillit të qarkut, zonjës Alva-Li Borgs, menaxhere e projektit të fondacionit Jarl Hjalmarson Foundation.

Tu shpreh mirënjohjen time të thellë për praninë e tyre në këtë aktivitet, një mbështetje shumë e çmuar për Lidhjen Demokratike të Gruas në Shqipëri dhe për Partinë Demokratike.

I dërgoj një përshëndetje të përzemërt, mikeshës tonë të çmuar, zonjës Eva Gustavson.

Kam ndjekur me interes punimet e kësaj konference, e cila vërtetë mblidhet në një klimë elektorale, por mblidhet për një problem themelor të PD-së dhe shoqërisë tonë, rolin, potencialin e madh të gruas në zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe në fitoren elektorale të zgjedhjeve, por dhe në drejtimin e Shqipërisë.

Të nderuara zonja, beteja juaj për afirmimin gjithnjë e më të madh të rolit tuaj përcaktues në shoqëri dhe në vend, është një betejë e vështirë, është një betejë që përballet me murin mijëra vjeçar të patriarkisë, i cili defakto është sot dhunuesi më kryesor i lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, Europë dhe botë.

Beteja kundër këtij muri, beteja për rrëzimin e tij është nga betejat më të rëndësishme për emancipimin njerëzor dhe ju me përpjekjet tuaja, jepni një kontribut shumë të çmuar.


Shtuar 24.11.2024 11:15

Tags: ,