Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në Parlament akuzoi mazhorancën socialiste se po bllokon drejtësinë, duke mos pranuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Berisha iu drejtua socialistëve, duke u thënë se po mbroni korrupsionin, duke theksuar se Balluku deri tani u ka vjedhur shqiptarëve 1.2 mld euro.
“Ky parlament çdo ditë nxin për aktin antikushtetues për shndërrimin e mandateve të krimit në mburojë të Lubi Ballukut. Në parzmore të vjedhjes së miliarda euro të taksave tuaja nga Ramaduro dhe Lubia e tij. Ky parlament kryen grushtin e shtetit, hedh poshtë kërkesën e SPAK për arrestimin e delikuentes Lubi Balluku”, tha Berisha.
Për të treguar se po mbrojnë korrupsionin dhe janë thjesht “automatë” që zbatojnë urdhrat, Berisha tha se deputetet e PS e kane te shkruar në Ballë “e keqja banale”, ndërsa solli këtë shembull:
“Sot do sjell tek ju konstatimin e filozofes gjermane Hannah Arendt. Kjo filozofe e shquar, në vitet 60 vendosi të ndjek gjyqin kundër Hejtmanit, një nazist që kishte përcjellë në furrat e djegies miliona hebre. U ul në sallën e gjyqit dhe ndoqi të gjitha seancat. Për habinë e atyre që prisnin konkluzionet e saj, kjo filozofe tha se kemi të bëjmë me të keqen banale. Pra sipas saj, në rastin e këtij burokratit xhelat, nuk ishte një mostër, por një automat që zbatonte urdhrat sic i vinin. Ndaj ajo la trashëgimi si doktrinën e të keqes banale, me të cilën ju në mënyrë të verbër mbështesni korrupsionin, bëheni shtylla të sistemit të gjakpirës së qytetarëve. Ju bllokoni heqjen e imunitetit të njeriu që të paktën 1.2 miliardë me këto dosje me padronin e saj ua ka vjedhur shqiptarëve”.
