Berisha akuza qeverisë për infrastrukturën: Shtuan tre herë numrin e patronazhistëve të punësuar dhe lanë Durrësin e Tiranën pa ujë

Në mbyllje të takimit dhe diskutimeve me Departamentin e Infrastrukturës në Partinë Demokratike mbrëmjen e sotme (13 mars), kryetari Sali Berisha e mori përsëri fjalën, duke ndarë porosinë kryesore për stafin, që të përgatiste programin dhe projektet më të mira për një Shqipëri me infrastrukturë moderne kur të vinin në pushtet.

Ai hodhi akuza të rënda ndaj mazhorancës qeverisëse, duke u shprehur se i ktheu institucionet e Ujësjellësave në ndërmarrje me të punësuar patronazhistë dhe la qytete si Tirana dhe Durrësi pa ujë të pijshëm.

Ai mori si shembull rastin e qytetit bregdetar, ku theksoi se Banka Botërore kishte edhe një projekt investimesh të mëdha, por që nuk u mor parasysh nga qeveria.

“Është e domosdoshme të studiohet dhe të garantohet eficenca e investimeve në furnizimin me ujë. Qytetarët durrsakë duhet ta dinë, se Banka Botërore ka pasur këto vite një projekt investimesh të mëdha për ujësjellësin e Durrësit. Çfarë bënë ata?! Ata trefishuan të punësuarit, absolutisht, shtojnë tre herë numrin e patronazhistëve dhe qytetarët mbeten pa ujë. Projekti për Durrësin ka qenë ujë 24 orë. Por në vend të kësaj, kanë katërfishuar apo trefishuar numrin e të punësuarve. Në vend që të krijonte, se edhe Tirana, sasia e ujit në Bovillë është plotësisht e mjaftueshme për Tiranën, dhe një pjesë e zonës që lidhet me Tiranën, është e mjaftueshme. Lal Vjedhësi në vend që të mërej me këtë, krijonte ndërmarrjen e shitjes së ujit të Selitës nëpër lagje për t’u pasuruar”, tha kreu i demokratëve.

Berisha vuri në dukje se këto probleme madhore me rrugët dhe ujësjellësat në vend duhet të marrin zgjidhje një herë e mirë, sepse “nuk ka Shqipëri të zhvilluar me infrastrukturë të prapambetur”.

“Infrastruktura moderne është kushti i të gjitha kushteve për të shndërruar Shqipërinë në vend të zhvilluar dhe ndryshuar jetën e shqiptarëve. Nuk ka Shqipëri të zhvilluar me infrastrukturë të prapambetur. Kështu që të gjitha fushat e debatit në këtë takim, duhet ë përgatisin me hollësi programin për përgjigjet më të mira e të shpejta që qeverisja e PD do u japë këtyre çështjeve madhore të krijuara”, vijoi ai.

Kreu i selisë blu e mbylli fjalën e tij duke shprehur besimin tek Departamenti i PD për projektet më të mira infrastrukturore, me prioritet zhvillimin e vendit.

“Ju falënderoj dhe kam besim të plotë se departamenti bashkë me specialistët më të mirë të të gjitha fushave, do ketë projektet më të mira, alternativat më të mira për një infrastrukturë moderne të Shqipërisë si vend i zhvilluar”, tha Berisha.


Shtuar 13.03.2026 20:41

Tags: ,